
TIRANË- Të dhëna të reja dalin në dritë në lidhje me dhunimin e 3-vjeçares në çerdhën “Stinët” në kryeqytet. Sipas gazetarit Saimir Kodra, madje janë ofruar dhe para. Deklaratën e bëri i ftuar në emisionin “Opinion”, ku u shpreh se i ka ardhur një mesazh nga një person i brendshëm se për të mbyllur rastin janë marrë dhe para.
Sipas Kodrës, të gjithë historinë e deformoi shefi i Krimeve, Ylli Çako, për të cilin thotë se mund të bënte arrestimin në flagrancë të edukatores, gjë që nuk e bëri.
Saimir Kodra: Nuk e ke idenë sa shumë raste kanë denoncuar pas transmetimit të rastit. 1 orë e 47 minuta, të gjithë fëmijët kanë dëgjuar se si nuk i jepet ndihma. Si mund ta lësh në një krevat që nuk i shtrin dot këmbët që është shumë më i gjatë se krevati? Ato nuk janë më shumë se 1 metër e pak. Më habit fakti se si prindër që janë në këtë kopsht nuk tregojë rastet e tjera. Janë paguar para për të gjithë këtë histori. Dikush aty brenda më ka bërë mesazh ulëritës “a mund të hahen lekët për një frakturë të një fëmijë 3 vjeçar?”, domethënë që është brenda kësaj skene dhe kësaj historie. Me shumë vonesë, por më mirë vonë se sa kurrë. Të gjithë historinë e deformoi Ilir Çako, shefi i Krimeve, i cili nuk e arrestoi në flagrancë edukatoren, por nuk e bëri.
Qytetarët e Tiranës kanë protestuar këtë të enjte në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur më datë 1 nëntor. Fillimisht qytetarët e Tiranës, bashkë me fëmijët protestuan përballë Ministrisë së Arsimit, ndërsa marshuan më tej drejt Ministrisë së Brendshme me thirrjet për të vendosur drejtësi.
Drejtuesja e kopshtit, i cili vepronte pa licensë dhe në ilegalitet të plotë, ka tentuar ta fshehë ngjarjen, duke iu thënë prindërve të së miturës, se këmba i ishte ënjtur si pasojë e një pickimi. Por pamjet e transmetuara në emisionin ‘’Stop’’ vërtetuan të kundërtën, ku shihej edukatorja që dhunonte të miturën, teksa fëmijët ishin duke fjetur gjumin e drekës. Për 2 orë 3-vjeçarja u mbajt duke qarë në kopsht, dhe më pas u bë njoftimi i prindërve të saj, të cilët u përballën dhe me sjelljen arrogante dhe aspak profesionale të punonjësve të policisë, 2 prej të cilëve janë nën hetim. Kjo ngjarje ka ngjallur reagime të shumta, duke sjellë edhe nisjen e një aksioni nga Ministria e Arsimit për të kontrolluar të gjitha kopshtet dhe çerdhet. Edukatorja Majlinda Dehima është arrestuar, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimin për 2 efektivët, të cilët neglizhuan çështjen./Zëri.ai