
TIRANË- U deshën 8 ditë që Policia e Shtetit të vepronte për të arrestuar edukatoren që dhunoi 3-vjeçaren në çerdhe. Po pse kaq kohë? Pse nuk reagoi askush dhe më e rëndësishmja, pse Policia e Shtetit nuk e bëri punën e saj?
Saimir Kodra, bashkëdrejtuesi i emisionit investigativ “STOP”, sonte në emisionin “Opinion” ka pranuar se janë paguar para te personat përgjegjës që duhet të kontrollonin veprimtarinë e kopshtit, në mënyrë që ai të vijonte aktivitetin.
“Kjo ndodh sepse marrin para. Gjithë këto struktura që sot duhet të ishin shkarkuar personat, kanë marrë para dhe e kanë lënë atë. Pra, ne këtu që jemi të rreshtuar për të paguar taksa e tatime, tatohemi me kënaqësinë më të madhe që të paguhen këta njerëz që sot duhet të ishin shkarkuar, që marrin para në dorë”, u shpreh ai.
Agjencia e Mbikqyrjes Policore provoi që 2 prej efektivëve Ylli Çako dhe Ergys Brahimaj nuk e bënë siç duhet punën e tyre por nuk provuan dot nëse kishin marrë ryshfet për të “groposur” dosjen. Por kush i mori paratë? Sa kushtoi këmba e asaj të miture që familja e saj të mos e gjente kurrë drejtësinë? E mbi të gjitha, kush i futi paratë në xhep në këmbim të jetës së vogëlushes? Zëri.ai ka marrë informacione tejet të rënda për pazare brenda komisariatit nr.1, por deri në verifikimin e tyre jemi të rezervuar në përdorimin e emrave konkretë. Nëse media nuk do ngrinte zërin, e vogla do të vazhdonte të dergjej spitaleve pa drejtësi. Tregoni, sa jeni paguar?/Zëri.ai