
TIRANË- Jo vetëm 3-vjeçarja është dhunuar në kopshtin privat “Stinët” në kryeqytet. Pas publikimit të rastit në media, të tjera dëshmi tronditëse vijnë nga prindërit që kanë pasur fëmijët në këtë çerdhe. Së fundmi në emisionin ‘STOP” është publikuar dëshmia e një prindi që ka pasur djalin për rreth 2 muaj në atë institucion arsimor, fatkeqësisht të palicensuar.
Sipas saj, por siç e tregon dhe foto, i mituri është dhunuar nga stafi. Njëherë siç rrëfen dhe nëna djali ka qëndruar 1 javë me hematomë në vesh pas dhunimit nga edukatoret, të cilat në atë kohë janë justifkuar duke thënë se ishte bojë dhe është bërë pis gjatë procesit mësimor.
Por pasi “boja” nuk u hoq, tek prindërit lindën dyshimet. Të gjendur në këto kushte ata kanë kërkuar kamerat e sigurisë nga drejtuesja e institucionit Entela Danushi, por kjo e fundit nuk ka pranuar duke nxjerrë justifikime.
Denoncimi:
Denoncuesja: Kam pasur fëmijën për rreth 1 vit tek ky kopsht. Kam pasur dyshimet e mia për mënyrën se si trajtoheshin fëmijët aty sepse më ndodhi një rast që fëmija më erdhi me një shenjë tek veshi dhe fëmija pretendonte që i ishte shkulur veshi, ndërkohë që nga edukatorja dhe nga sanitarja që ishin prezentë në atë moment, thoshin që “ jo, e ka bërë me bojë duke ngjyrosur”, ndërkohë që ishte mëse e dukshme që ka pasur dhunë pasi për 1 javë vazhdoi mavijosja.
Gazetari: Dhe ka ndodhur nën kujdesin e cilës edukatore?
Denoncuesja: Ka qenë edukatorja tjetër e cila e ka emrin edukatore Ola. I kërkova me shumë edukatë drejtoreshës që të më vendosë në dispozicion kamerat, por nga ana e saj pata vetëm justifikime dhe në atë kohë u ndërrua edukatorja e djalit dhe nuk kishte më të njëjtën edukatore pas ngjarjes dhe pas asaj ngjarje, vjen edukatore Lina. Më ndodh njëherë tjetër që dëgjoj që ju ngrit zëri fëmijës kur unë po shkoja për ta marrë. Isha tek shkallët. Mësuesja i bërtiti “fillove prapë ti?”, por ishte një ulërimë, nuk e di…
Gazetari: Jeni duke folur për të njëjtën edukatore që ka dalë edhe në transmetimet tona apo jo?
Denoncuesja: Po.
Gazetari: Sa kohë ka qëndruar fëmija juaj me këtë edukatore?
Denoncuesja: 2-3 muaj. Në momentin që shkon dhe e merr i ati, ditën që ndodhi tërheqja e veshit, thanë që “është bërë me bojë”. Fëmija kur futet në makinë, fillon dhe qan me të madhe “pse nuk më besoni ju mua? Mua ma ka tërhequr sanitarja veshin” dhe ngulte këmbë. Realisht nuk donte që të shkonte, thoshte që “nuk dua të shkoj”. Mund të ishte menaxhuar dhe distancuar në vend që ta fshihte ngjarjen. Fakti që unë kam kërkuar 2 herë kamerat dhe më është mohuar aksesi për të parë kamerat, atëherë ka pasur gjëra të tjera që mbase nuk donin që prindërit t’i shikonin sepse nuk e shpjegoj dot ndryshe. E largova sepse është ajo frika që nëse ndodh diçka, prindërit pastaj nuk përmbahen. Përderisa gjëja degradon në dhunë fizike, nuk besoj se dhuan verbale është një gjë jashtë normales.
Qytetarët e Tiranës kanë protestuar këtë të enjte në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur më datë 1 nëntor. Fillimisht qytetarët e Tiranës, bashkë me fëmijët protestuan përballë Ministrisë së Arsimit, ndërsa marshuan më tej drejt Ministrisë së Brendshme me thirrjet për të vendosur drejtësi.
Drejtuesja e kopshtit, i cili vepronte pa licensë dhe në ilegalitet të plotë, ka tentuar ta fshehë ngjarjen, duke iu thënë prindërve të së miturës, se këmba i ishte ënjtur si pasojë e një pickimi. Por pamjet e transmetuara në emisionin ‘’Stop’’ vërtetuan të kundërtën, ku shihej edukatorja që dhunonte të miturën, teksa fëmijët ishin duke fjetur gjumin e drekës. Për 2 orë 3-vjeçarja u mbajt duke qarë në kopsht, dhe më pas u bë njoftimi i prindërve të saj, të cilët u përballën dhe me sjelljen arrogante dhe aspak profesionale të punonjësve të policisë, 2 prej të cilëve janë nën hetim. Kjo ngjarje ka ngjallur reagime të shumta, duke sjellë edhe nisjen e një aksioni nga Ministria e Arsimit për të kontrolluar të gjitha kopshtet dhe çerdhet. Edukatorja Majlinda Dehima është arrestuar, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimin për 2 efektivët, të cilët neglizhuan çështjen./Zëri.ai