Aktualitet

Halla e 3-vjeçares së dhunuar në protestë: Manastirliu nuk na u përgjigj, tha jam në aktivitet

Halla është shprehur se prindërit dhe vajza janë në traumë nga e gjithë kjo ngjarje.

k.m.
Halla e 3-vjeçares së dhunuar në protestë: Manastirliu nuk
halla e 3-vjeçares

TIRANË-Në protestën e mbajtur para Ministrisë së Arsimit për të dënuar dhunën ndaj 3-vjeçares, së cilës edhe iu thyea këmba nga edukatorja tashmë e arrestuar, ka qenë edhe halla e saj. Halla është shprehur se prindërit dhe vajza janë në traumë nga e gjithë kjo ngjarje. Sa i përket arrestimit të edukatores Majlinda Dehima,  halla e vogëlushes u shpreh se nuk mjaftohen vetëmme këtë veprim, por kërkoi arrestimin e gjithë personave të përfshirë në rast.

Po ashtu halla e 3-vjeçares denoncoi institucionet, përfshirë Ministren e Arsimit, e cila kur u njoftua, sipas saj ka neglizhuar rastin, duke u shprehur se ishte në një aktivitet të rëndësishëm.

“Jam këtu për të bërë vetëm një thirrje të fundit për prokuroren zonja Silvana Lule. Mora vesh që është arrestuar prokurorja, por unë dhe familja ime nuk do të ndalemi me kaq deri sa të çojmë prapa hekurave zonjën Entela Danushi dhe të gjithë personat që janë të përfshirë në mbulimin e këtij krimi. Vajza ndodhet në spital. Mendoj se ka përmirësim, nga dita e parë e deri sot. Presim që këmba e vajzës të shkojë në vendin e duhur dhe të mos ketë probleme në të ardhmen. Vajza dhe prindërit janë në traumë psikologjike. Deri në 72 orë kemi parë heshtje të frikshme nga institucionet, përfshirë edhe Ministren e Arsimit, e cila kur e njoftuan tha nuk mundem tani sepse jam në një aktivitet,”-u shpreh halla e 3-vjeçares.

Qytetarët e nisën fillimisht protestën përballë Ministrisë së Arsimit, ndërsa marshuan më tej drejt Ministrisë së Brendshme me thirrjet për të vendosur drejtësi. Dhunimi i 3-vjeçares në kopshtin ‘’Stinët’’ ndodhi në datën 1 Nëntor. Drejtuesja e kopshtit, i cili vepronte pa licensë dhe në ilegalitet të plotë, ka tentuar ta fshehë ngjarjen, duke iu thënë prindërve të së miturës, se këmba i ishte ënjtur si pasojë e një pickimi. Por pamjet e transmetuara në emisionin ‘’Stop’’ vërtetuan të kundërtën, ku shihej edukatorja që dhunonte të miturën, teksa fëmijët ishin duke fjetur gjumin e drekës. Për 2 orë 3-vjeçarja u mbajt duke qarë në kopsht, dhe më pas u bë njoftimi i prindërve të saj, të cilët u përballën dhe me sjelljen arrogante dhe aspak profesionale të punonjësve të policisë, 2 prej të cilëve janë nën hetim. Kjo ngjarje ka ngjallur reagime të shumta, duke sjellë edhe nisjen e një aksioni nga Ministria e Arsimit për të kontrolluar të gjitha kopshtet dhe çerdhet. Edukatorja Majlinda Dehima është arrestuar, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimin për 2 efektivët, të cilët neglizhuan çështjen./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB