
TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka pranuar padinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për të pezulluar ndryshimet e bëra në ligjin për kompensimin e pronave. Kushtetuesja pranoi kërkesën e KSHM, kështu që çështja të kalojë për shqyrtim në seancë plenare publike ndaj edhe deri në marrjen e një vendimi do të pezullohet zbatimi i ligjeve të miratuara nga qeveria lidhur me kthimin dhe kompensiomin e pronave.
Por çfarë kundërshton Komuniteti Mysliman në Shqipëri?
Përllogaritja e vlerës së pronës me çmimin në kohën kur është bërë shpronësimi ka nisur përplasjen midis KMSH dhe qeverisë. Agjencia e Trajtimit të Pronës ka njohur vetëm të drejtën për kompensim.
“Kur ka ndryshuar zëri kadastral i pronës së njohur për kompensim, vlera e pronës llogaritet duke u bazuar në zërin kadastral aktual. Subjekti i shpronësuar kompensohet në masën 10 për qind të vlerës së pronës, sipas zërit kadastral actual. Përjashtimisht, kur vlerësimi financiar sipas zërit kadastral, që ka pasur prona në kohën e shpronësimit, është më i madh se 10 për qind e vlerës së pronës së llogaritur, subjekti i shpronësuar kompensohet me vlerën e llogaritur sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit,”- thuhet në vendimin e qeverisë që kundërshtohet nga KMSH.
Në vendimin nr.223, datë 23.3.2016, të Këshillit të Ministrave, (SHIKO NË FUND) parashikohet që Agjencia e Trajtimit të Pronave për efekt të kompensimit dhe të ekzekutimit të vendimeve përfundimtare që kanë njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, kur nuk ka ndryshuar zëri kadastral, vlerëson financiarisht vendimet, duke u bazuar në vlerat e përcaktuara në hartën e vlerës, sipas rregullave të mëposhtme:
“ATP-ja, për efekt të kompensimit dhe të ekzekutimit të vendimeve përfundimtare, që kanë njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, kur ka ndryshuar zëri kadastral, vlerëson financiarisht vendimet, duke u bazuar në vlerat e përcaktuara në hartën e vlerës, sipas rregullave të mëposhtme: a) Llogaritet vlera e pronës së njohur për kompensim, duke u bazuar në zërin kadastral aktual; b) Llogaritet vlera e pronës së kthyer, të kompensuar fizikisht apo të përfituar në një nga mënyrat e tjera sipas ligjeve që kanë rregulluar çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave; Vlera e pronës së kthyer llogaritet si diferencë që rezulton ndërmjet vlerës së saj, sipas zërit kadastral aktual, dhe vlerës së kësaj prone, sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit; c) Vlera e pronës së kthyer, e llogaritur i zbritet vlerës së pronës së njohur për kompensim; ç) Në rastet kur vlera e pronës së kthyer është më e madhe sesa vlera e pronës së njohur për kompensim, vlerësimi financiar i vendimit përfundimtar, që ka njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, është e barabartë me zero lekë dhe subjekti i shpronësuar konsiderohet i kompensuar. Në rastet kur vlera e pronës së njohur për kompensim është më e madhe sesa vlera e pronës së kthyer, vlerësimi financiar i vendimit përfundimtar, që ka njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, është i barabartë me 10 për qind të diferencës që rezulton duke zbritur vlerën e pronës së kthyer nga vlera e pronës së njohur për kompensim; ç) Përjashtimisht, kur vlerësimi financiar sipas zërit kadastral, që ka pasur prona në kohën e shpronësimit, është më i madh se 10 për qind e vlerës së pronës së llogaritur sipas kësaj pike, subjekti i shpronësuar kompensohet me vlerën e llogaritur sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit,”- thuhet në vendim.
NJOFTIMI I PLOTË:
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, sot në datën 08.11.2023, pasi mori në shqyrtim paraprak çështjen me nr. 18 (K) 2023 të Regjistrit Themeltar, me kërkues Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, me objekt: “Shfuqizimi i pikës 2 të nenit 1 dhe pikave 1, 2 dhe 5 të nenit 2 të ligjit nr. 77/2022, datë 17.11.2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave””, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Shfuqizimi i pikave 2, 3/1 dhe 3/2, shkronja “c”, të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 313, datë 24.05.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 223, datë 23.03.2016 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, të ndryshuar”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Shfuqizimi i pikës 8 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 313, datë 24.05.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 223, datë 23.03.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, të ndryshuar”, në pjesën që shton pikën 16/7 në vendimin nr. 223, datë 23.03.2016 të Këshillit të Ministrave, si e papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Pezullimi i zbatimit të këtyre akteve deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”, bazuar në nenet 32 dhe 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nenet 11, pika 3, shkronja “f”, 26 dhe 27 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese,
VENDOSI:
1. Kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike.
2. Pranimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 77/2022, datë 17.11.2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave””.