
MALIQ – Një ngjarje e rëndë u raportuar ditën e sotme në Maliq, ku një 59-vjeçar është vënë në pranga pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një të mitur. Vajza 13-vjeçare, fillimisht nuk ka treguar për ngacmimet pasi i vinte turp. Por më pas, i ka treguar gjyshes së saj për ngjarjen dhe së bashku kanë bërë kallëzim në Polici, në praninë e psikologes. Gjyshja e tronditur ka treguar detaje të rënda nga ngjarja, ku 59-vjeçari ka arritur deri aty sa të shkojë me gurë edhe në banesën e tyre.
Gjithashtu, të afërmit e vajzës kanë treguar se ajo përndiqej nga 59-vjeçari prej 3-vitesh, ndërsa 13-vjeçarja e frikësuar nuk del më nga shtëpia vetëm, madje edhe në shkollë ka bërë mungesa.
"Çupa nuk më ka treguar që e ngacmonte ky person se i vinte turp dhe nuk donte të më shqetësonte mua se isha e sëmurë. Ka 1 javë që e ndjek mbrapa. Unë dje isha te psikologia te shkolla që ta justifikoja që mos i vinte mungesa cupës, ai ishte aty i pirë,i tha vajzës hajde këtu unë shkova e zura për gryke dhe e godita. Psikologia që pa cupën duke qarë tha do e lajmëroj unë policinë. Ai e ndiqte nga mbrapa, i fliste në telefon, pinte, ra cupa në depresion. Ka ardhur me gurë natën, nuk di çfarë të them kam hequr traumë. Çupa ka frikë të dalë, nuk del më vetë vajza jashtë”-u shpreh gjyshja.
Një e afërme e vajzës tregoi rastin e fundit, kur 59-vjeçari përndiqte dhe ngacmonte të miturën me fjalë dhe shpesh i thoshte “hajde-hajde”. Ajo tregoi se policia është njoftuar edhe më herët, por nuk ka vepruar.
"Vajza ikte në shkollë. 4 ditë me radhë nuk i tha gjë gjyshes. Të pestën ditë shkoi motra e vajzës tek qumështorja. E mori qumështorin dhe donte t’i shiste. Ai prapa asaj ishte. Nuk bëri shamatë e motra. Doli gjyshja dhe e zuri për gryke dhe i tha çfarë ke me vajzën time. Ai prapë ‘hajde’ ia bënte. Ajo u fsheh. Këtu pastaj u bë një lesh e mish, situatë e tensionuar. Unë isha në shtëpi, nuk isha aty. Ne si fshatar e njohim. Shumë i ndyrë është. Ai gjen gra dhe thotë llafe. Llafe të ndyra i thoshte, edhe në sy të motrës së madhe, ia bënte, hajde. Ç’është ky llaf, 12-vjeçe vajza. Ka 3 vjet me radhë që e ngacmon. Mos më thoni për policinë, ne lajmëruam, por policia nuk ka vepruar më herët,"- tha e afërmja e 13-vjeçares.
13-vjeçarja jeton me gjyshen dhe me nënën e saj, e cila ka probleme të shëndetit mendor. Për vajzën kujdesej gjyshja ndërsa jetojnë në një banesë me kushte të mjerueshme. Ndërkohë, autori mësohet të jetë përdorues i alkoolit, dhe prej pak kohësh po mbahej nën mbikqyrje nga ana e Policisë./Zëri.ai