
TIRANË- Dritan Rexhepi, 43 vjeç është arrestuar sot në një operacion ndërkombëtar të Policisë Turke dhe asaj italiane. I fshehur në një resort vilash luksoze në Stamboll, Rexhepi i njohur edhe me emrin Gramoz kërkohet në Shqipëri për një ngjarje të rëndë që ndodhi në fillimin e vititn 2020, kur zhdukja e Jan Prengës zbuloi për publikun e gjerë edhe egërsinë e kartelit të parë shqiptar, "Los Blankos". Një rrjet ky, pjesë e të cilit janë edhe shqiptarë të tjerë, i kryesuar nga Dritani, dikur një djalë i thjeshtë nga Vlora, me ambicien për të vazhduar studimet për Drejtësi.
Por kush është vlonjati me dy emra? Si e fitoi reputacionin e tij si “mjeshtri i arratisjeve” për t’u bërë një nga 10 më të kërkuarit nga Interpoli? Historia e këtij gangsteri piktoresk nis në Shqipërinë e viteve ’90. Diktatura e egër e Enver Hoxhës ka rënë dhe vendi është në anarki. I riu braktis ëndrrën e karrierës në drejtësi, duke zgjedhur pikërisht rrugën e kundërt: krimin. Një zgjedhje e vështirë, do t’i thoshte gazetarit Artan Hoxha, duke i shpjeguar se ‘kisha dy mundësi: t’i dorëzohesha sistemit të kalbur e të padrejtë të Shqipërisë, që do të më kishte dënuar përjetë, apo të kërkoja një mundësi të dytë duke bërë diçka tjetër me jetën time. Për këtë hyra në trafikun e drogës’.
Në një intervistë për gazetarin Artan Hoxha, në vitin 2020 kur Policia shqiptare e kërkonte për zhdukjen e Prengës, Rexhepi thoshte se nuk kishte lidhje me ngjarjen, ndërsa për herë të parë rrëfeu edhe karrierën e tij kriminale. Ai mohoi vrasjen e parë atë të vitit 1998 përfshirë edhe grabitjet në Spanjë. Por, Policitë e 5 vendeve, përfshirë edhe Shqipërinë e kërkojnë Rexhepin me disa akuza të dokumentuara prej tyre si krime të rënda.
1998, Dritan Rexhepi akuzohet për vrasjen e dy Policëve, Arben Keqi dhe Durim Kasmi
40-vjeçari shqiptar kërkohet për t’u burgosur pasi ka qënë i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e 2 efektivevë të policisë në Fushë – Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi në vitin 1998. Vlonjati Gramoz Rexhepi, që më vonë e ndryshoi emrin në Dritan, do të shënonte shumë shpejt rritje në “karrierë”. Në vitin 2006 ai do të ishte pjesë e më të kërkuarve në Shqipëri. Asokohe student i Juridikut, hyri në hollin e hotel “Tiranës” me dy pistoleta. Sipas akuzës të dy të rinjtë ishin vrasës me pagesë dhe u kapën menjëherë për t’u dërguar Rexhepin në komisariatin e Policisë në Durrës, ku pas 2 ditësh do të dilnin para Gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë deri në përfundimin e hetimeve.
Ky ishte pikërisht momenti ku Rexhepi fitoi emrin e shumëmerituar si ekspert i arratisjeve, duke u kthyer në një legjendë për të gjitha ata që vuanin dënim. 40-vjeçari përfitoi nga një moment hutimi i efektivëve që e ruanin, të cilët me siguri nuk e njihinin potencialin e tij, për t’u larguar nga burgu. Efektivët ia kishin edhe më të lehtë detyrën pasi kishin vendosur t’iu linin dyert hapur me qëllim komunikimin me njëri-tjetrin.
Kaq mjaftoi për të! Sapo doli nga qelia e tij, Rexhepi ktheu xhupin nga ana tjetër për të ndryshuar ngjyrën, mori nën krah një dosje që gjeti mbi tavolinë dhe kaloi rojën tek dera. Alarmi dhe kërkimet në çdo skutë ishte më kot pasi Rexhepi tashmë ishte larg dhe në hapat e tij të parë të shënimit të historisë si një nga kriminelët më të frikshëm të historisë së vendit.
Në vitin 2009, Dritan Rexhepi arratiset nga burgu i Pavias në Itali
… Në vitin 2009 emri i tij rishfaqet nga mediat italiane pasi vlonjati ia del që të arratiset nga burgu i sigurisë së lartë, në Pavia, bashkë me dy shqiptarë të tjerë. Dritan Rexhepi, Ylli Ndoji dhe Leonard Myrtaj, që të tre të akuzuar për krime të rënda arritën të arratiseshin natën e 11 marsit 2009. I riu shqiptar kishte rënë në burgun e Italisë për një krim të rëndë të kryer në Venecia. Ndërkohë njëkohësisht kërkohej edhe nga Belgjika dhe Hollanda për trafik ndërkombëtare droge. Për tre vite duket sikur i kishin mjaftuar ‘vlonjatit’ për të “pushtuar” Europën.
29 maj 2011, Dritan Rexhepi akuzohet për vjedhjen e Bankës në Barcelonë
Pas arratisjes nga Italia, nga viti 2009-2011 vlonjati mban një profil të ulët duke iu shmangur Policisë me çdo kusht. Por nuk ia del dot. Në 2011 ai arrestohet për grabitjen e një banke në Barcelonë, në një moment kur në qytet festohej fitorja e Champions League nga ekipi i Barcelonës. Vlonjati dhe banda e tij kishin zgjedhur ditën e 29 majit, duke marrë parasysh se nuk do të binin shumë në sy për shkak të festimeve që po organizoheshin në qytet. Por nuk shkoi sipas planit, Grabitja bëri bujë të madhe dhe policia vendase arriti që të kapte grupin e shqiptarëve mes të cilëve i shumë kërkuari Dritan Rexhepi. Mister mbetet fakti se si ai shpëtoi nga drejtësia spanjolle pa u dënuar. Kjo grabitje, mohohet nga Rexhepi.
5 muaj pas ngjarjes në Barcelonë, Dritan Rexhepi prangoset në Belgjikë
Të qëndruarit në hije duket se është diçka që nuk i pëlqente vlonjatit. Pas vetëm disa muajsh mungesë, ai rikthehet fuqishëm në Belgjikë, ku edhe u arrestua për t’u çuar në burgun e Antverp, në tetor të vitit 2011. Por duke qenë se nuk kishte bërë asnjë krim të rëndë do të ekstradohej në Itali. Autoritetet belge i besuan pamjes së tij, duke mos e menduar ndonjëherë grabitjen. Rexhepi e mbajti lart reputacionin e tij duke u arratisur pa asnjë problem nga burgu i sigurisë së ulët. Në fakt shqiptarit nuk i kishin vënë rëndësi, se burgu ku ishte strehuar Rexhepi është një nga më të vjetrit në Belgjikë dhe nuk konsiderohet i përshtatshëm për kriminelët serioze. “Ka vetëm dy roje të pranishëm për 120 persona, kështu që mundësia e arratisjes është shumë e lartë” thuhej në raportin e Ministrisë së Drejtësisë pas arratisjes. Pra…një kockë e lehtë për shqiptarin e trajnuar me arratisjet.
Pas vitit 2011, Dritan Rexhepi fluturon në Angli, udhëtimi në "tokën e ëndrrave"
‘Scotland Yard’ publikoi foton e tij duke shkruar se ai ishte një nga 17 të huajt më të rrezikshëm që gjendeshin në tokën e tyre, duke lënë në dispozicion të qytetarëve edhe numrin e telefonit ku mund të jepnin informacion mbi vendndodhjen e tij. Por gjejeni pak? Asnjë! Nuk e kapën dot kurrë. Nuk dihet nëse ishte zotësia e tij për t’u fshehur mirë apo sepse kishte qënë në Angli vetëm për një moment tranzit pasi në mendje kishte diçka tjetër. Ndoshta Amerikën Latine?
Ekuador, njohja me Don Montin, futja në rrjetin ndërkombëtar të kokainës
Pasi mbërrin në Ekuador, Rexhepi arrin të hyjë në grupin e trafikantit më të rëndësishëm në vend, Cesar Emilio Montenegro Castillo, i quajtur ‘Don Monti’, i cili nga ana e tij është në lidhje biznesi me kartelin kolumbian të Norte del Valles dhe me mbretin e padiskutueshëm të drogës, Joaquin ‘El Chapo’ Guzman.
Marrëveshja lind kur Rexhepi zgjidh problemet e Don Monti, i cili përdorte kanale për transfertat e parave që organizatat kriminale kineze i realizonin me komisione të larta. Shqiptari heq kinezët dhe i propozon disa korrireë shqiptarë me çmime të ulëta dhe me Uestern Union. Marrëveshja e bind "Don Montin" që i jep Rexhepit menaxhimin e financave të kartelit të tij dhe i beson dërgimin e drogës në Evropë.
Arrestimi dhe burgosja në Quito, 'treni' i fundit përpara Stambollit
Në qershor të vitit 2014, me një identitet dhe pamje tjetër, Dritan Rexhepi (Gramoz), u arrestua në Quito të Ekuadorit, ku mbeti për më shumë se një muaj i paidentifikuar. Një operacion ku u gjetën 278 kilogramë kokainë, finalizoi prangosjen e tij. Mes tëarrestuarve ishte edhe babai i Dritan Rexhepit. P.Rexhepi. Ndërkohë Dritan Rexhepi qëndronte në burg pa u identifikuar. Ishin gjurmët e gishtave ato që zbuluan se personi i arrestuar ishte pikërisht ai, asokohe 34 vjeç.
Gjatë qëndrimit në burg, Rexhepi kishte një telefon celular me të cilin vazhdonte dërgimin e drogës së Castillos në Evropë. Këtu nisi kompania Bello. Historia unike e një rrjeti shqiptar.
Kompania Bello, ka formën e një federate ndërkombëtare dhe përbëhet krejtësisht nga organizata kriminale shqiptare me bazë në Evropë, 14 saktësisht, kapo i të cilave është Rexhepi. Është ai që iu siguron drogën dhe gjithmonë ai që merret me llogaritë, asnjë ndërmjetës midis Tiranës e Quitos. Për herë të parë në histori, narkot shqiptarë nuk duhet t’u drejtohen përfaqësuesve në Evropë të karteleve amerikanojugore, as mafieve italiane, janë vetë ata që menaxhojnë trafikun, nga fillimi në fund.
Droga dërgohet me anije në Evropë, ku hyn përmes porteve të Anversës e Roterdamit, paratë pastrohet përmes sistemit kinez fei ch‘ien, anëtarët komunikojnë me shërbime të kriptuara dhe organizojnë shpesh takime për të rrahur idetë për metoda të reja transporti, shmangie të hetimeve dhe riciklim të parave. Megjithatë, asnjë nga këto nuk do të ishte e mundur pa një element thelbësor, korrupsionin. Të korruptuar ishin gardianët e burgut të Quitos, ashtu si dhe personeli i porteve ku zbarkonin ngarkesat e drogës.
Organizata bazohet mbi një kod sjelljeje të bazuar te heshtja e besnikëria. Çdo anëtar duhej të pranonte zbatimin e disa rregullave, midis tyre edhe hakmarrjen te familja e tij në rast tradhtie. Kapobandat impenjoheshin në rekrutimin e ushtarëve të rinj midis shqiptarëve jashtë vendit, sidomos në Holandë e Itali, duke krijuar një klimë heshtjeje të papërshkueshme nga tentativat për infiltrim nga ana e policisë.
Kompania Bello, raportohet se u godit në vitin 2020 ku u kërkua edhe arrestimi i Eldi Dizdarit.
Nga ky moment, kur Dritan Rexhepi ndodhej ende në burg. Në vitin 2021, ai u lirua por edhe pse i ishte ndaluar dalja nga Ekuadori, ai sërish nuk u bind. Për gati 2 vite, askush nuk dinte asgjë për vendodhjen e tij, edhe pse raportohej se ndodhej në Amerikën Latine. Sot, misteri u zgjidh. Ai është në pranga ndërsa 3 alarme të kuqe të Interpolit janë shuar. Cili do të jetë vendi që do të arrijë ta ekstradojë i pari?/Zëri.ai