
VLORË- Një 38-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Vlorës, pas një ndjekje si në filma. Policia ka arrestuar shtetasin Enron Konomi (Daupi), i cili hodhi nga automjeti që drejtonte, pistoletën që mbante me vete, sapo pa shërbimet e Policisë. Vihet në pranga pas disa minutash ndjekje 38-vjeçari, i cili akuzohet për armëmbajtje pa leje.
“Strukturat e Hetimit të Krimeve dhe Forca e Posaçme Operacionale në DVP Vlorë në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, si rezultat i kontrolleve intensive në të gjithë territorin e qarkut, në zbatim të planit operacional të miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në kuadër të operacioni policor kombëtar “Sundimi i ligjit”, kanë konstatuar dhe goditur një rast në fushën e armëmbajtjes pa leje, në qytetin e Vlorës.
Në kuadër të këtij operacioni u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi E. K alias E. D., 38 vjec, banues në Vlorë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve,armëve shpërthyese dhe i municionit.”
Shërbimet e Policisë, bazuar dhe në inteligjencën informative, kanë lokalizuar në lagjen “Isa Boletini”, automjetin tip “Fiat” që drejtohej nga shtetasi E. K dhe janë vënë në ndjekje të tij. Drejtuesi i automjetit, sapo ka vënë re se po ndiqej nga Policia, ka tentuar të largohet me shpejtësi dhe ka hedhur nga automjeti, një armë zjarri pistoletë me fishekë në të, të cilën e posedonte pa leje, por pas disa minutash ndjekje është kapur dhe prangosur nga Policia.
Armën e zjarrit pistoletë së bashku me fishekët dhe automjetin, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia e Vlorës.