
TIRANË- Eksperti i sigurisë Ilir Kulla ka konfirmuar lajmin e Zëri.ai, që raportoi se paraqitja e tij në SPAK disa ditë më parë lidhej me rihapjen e dosjes CEZ-DIA. Kulla tha mbrëmjen e djeshme në emisionin “Zonë e Lirë” se ishte thirrur nga SPAK në cilësinë e një deklaruesi që kishte dijeni për rrethana të ndryshme të dosjes.
Duke mos preferuar që të jepte shumë detaje në lidhje me dosjen në fjalë, Kulla tha se ka dëshmuar për të gjitha pyetjet që i janë bërë, ndërkohë që hetuesit sipas tij i janë dukur shumë profesionalë.
“Pasi firmosa deklaratën që dhashë më thanë që është hetim zyrtar dhe duhet të respektoj rregullat, pra jam i detyruar t’i respektoj. Të them që kam dhënë deklaratë për çështje CEZ-DIA. Bëmë një bashkëbisedim shumë miqësor, hetuesi ishte një djalë i ri. Pra isha në cilësinë e një deklaruesi. Më thirrën me telefon.Kam thënë gjërat që di, në bazë të pyetjeve që më janë bërë. Mu dukën shumë profesionalë dhe shumë të sjellshëm”, tregoi ai.
Në lidhje me çështjen CEZ-DIA u mor në pyetje më herët dhe Dorian Duçka, i cili është familjar i Ilir Metës, dhe njëherësh ka mbajtur post zëvendësministri.
Në këtë çështje, Kulla dhe Duçka janë dy persona që dyshohet se kanë udhëtuar me Kastriot Ismailajn, të akuzuarin kryesor të aferës, tashmë i liruar nga burgu. Në prill të vitit 2022, SPAK ka rihapur dosjen e CEZ-DIA të vjedhjes së parave publike. Hetimet po ndiqen nga vetë drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani.
/Zëri.ai