Aktualitet

Vdekja e Brian u shkaktua nga narkoza e tepërt, del rezultati i ekspertizës mjeko-ligjore

Prokuroria ka dyshime në lidhje me ekspertizën e parë që i është bërë 3-vjeçarit dhe ka kërkuar ripërsëritjen e saj

E.K
Vdekja e Brian u shkaktua nga narkoza e tepërt, del rezultati i
Brian Spahiu dhe mjeku Roland Xhaxho

TIRANË- Instituti i Mjekësosë Ligjore në ekspertizën e parë që ka kryer për 3-vjeçarin Brian Spahiu, që humbi jetën pas një ndërhyrje në klinikën dentare “Splendent” në Tiranë, ka arritur në përfundimin se vdekja e vogëlushit ka ardhur si pasojë e mbidozës së anestezisë.

“Shkaku i vdekjes ka qenë dhënia e lëndës anestetike që ka sjellë vuajtjen qelizore të thellë me mekanizmin e insuficiencës multiorganore të parikthyeshme”, thuhet në akt-ekspertizë.

Prokuroria e Tiranës megjithatë ka kërkuar kryerjen e një ekspertize të dytë për Brian, ndërkohë që familjarët ende janë në pritje të dhënies së drejtësisë për rastin.

Burime bëjnë me dije se organi i akuzës ka marrë në pyetje ekspertët mjeko-ligjore që kryen aktin e 3-vjeçarit. Prokuroria po bën analizimin e provave dhe dëshmive për të vendosur riekspertimin.

Ngjarja e rëndë ndodhi në datën 28 shtator. I vogli u dërgua në klinikë dhe iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale për gjashtë orë. Sipas dëshmive, mjeku anestezist Roland Xhaxho u kishte garantuar familjarëve se procedura ishte një sukses dhe fëmija iu është dorëzuar familjarëve për ta marrë në shtëpi rreth orës 19:00, sipas tyre po në gjendje të pavetëdijshme.

Menjëherë pas dërgimit në banesë, djalit i është rritur edhe temperatura, gjë që ka alarmuar prindërit të cilët e kanë dërguar më pas në Pediatrinë e QSUT-së, ku Brian është intubuar për shkak se sipas mjekëve, mëlçia e tij kishte dalë jashtë funksionit.

Ai ka qëndruar në terapi, e cila nuk ka dhënë rezultat dhe më 1 Tetor, i vogli ka humbur jetën. Prindërit e fëmijës kanë kallëzuar në Polici, pasi sipas tyre shkaku i vdekjes së djalit ka qenë mbidoza e anestezisë.

Mjeku Roland Xhaxho ka deklaruar se klinika dentare ku u krye operacioni i 3-vjeçarit që fatkeqësisht ndërroi jetë, nuk ka kamera sigurie. Sipas tij që prej datës 23 shtator klinika i është nënshtruar punimeve. Edhe ky pretendim pritet të verifikohet nga ana e Prokurorisë së Tiranës./Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB