Tre ditë më parë, lajmi se një fëmijë vetëm 3 vjeç vdiq pas një procedure dentare ngriu gjithkënd.
Brian Spahiu, më datë 28 shtator hyri rreth orës 10 të paradites në klinikën “Splendent” të mjekëve Roland dhe Ina Xhaxho, për ‘të rregulluar disa dhëmbë dhe pastruar gurëzat’ për të dalë prej andej rreth orës 19:00 të pasdites. I vetëdijshëm apo jo, ai disa orë më vonë u dërgua në gjendje koma në urgjencën e pediatrisë së QSUT-së dhe tre ditë më pas ndërroi jetë.
Çfarë ndodhi me Brianin?!
Familjarët e të voglit 3 vjeç drejtojnë gishtin tek mjeku anestezist Roland Xhaxho. Ata e akuzojnë për neglizhencë pakujdesi dhe shkaktar të vdekjes të të voglit. Xhaxho pretendon se çdo gjë ka shkuar shumë mirë gjatë ndërhyrjes. Prej 3 ditësh palët shkëmbejnë akuza dhe pretendime, argumentet e të cilave rrëzojnë njëra tjetrën.
Po kush po gënjen?
Le të rikthehemi dhe njëherë në datën 3 tetor kur familja pas kallëzimit penal, foli dhe publikisht.
Babai dhe gjyshi i Brian Spahiut kanë akuzuar drejtëpërsëdrejti mjekun Roland Xhaxho për aplikim të tepërt të anestezisë tek 3-vjeçari. Në disa intervista i ati, Bledari deklaron se, më datë 28 shtator Briani ka qëndruar për disa orë në sallë dhe rreth orës 6 të pasdites kanë mundur ta shohin. Një orë më pas janë larguar nga klinika së bashku me një recete ilaçesh. Por në të gjithë këtë gjullurdi informacioni kur drejtësia ende lëviz me hapa të ngadaltë disa të vërteta po përpiqen të fshihen ose të ngatërrohen në ecajake procedurash.
Së pari: 4 apo 14 dhëmbë?
Babai i Brian Spahiut në deklaratat e shumta shprehet se me mjekët ishte rënë dakord që të ndërhyhej vetëm tek disa dhëmbë sepse dentistja u kishte thënë që kishte infeksion. Gjithashtu anestezia nuk do të ishte totale por e gjeneruar. Por pas më shumë se 8 orësh në sallë, një fëmije vetëm 3 vjeç i kishin ndërhyrë në 14 dhëmbë. Mjekët Xhaxho pretendojnë që kjo procedurë ishte normale dhe e nevojshme për rastin pasi fëmija kishte kryer më herët një ndërhyrje ne zemër, ndaj aplikimi i anestezisë totale ishte i domosdoshëm si dhe kryerja në një seancë e të gjithë rregullimeve të dhëmbëve. Por për sa dhëmbë u diskutua në fillim? Ende se dimë të sigurtë.
A u përmend Brian Spahiu 1 orë pas përfundimit të ndërhyrjes?
Shumë mjekë thonë se anestezia funksionon ndryshe në pacientë të ndryshëm. Por deklaratat na ndihmojnë të kuptojmë se a po përpiqet dikush të shtrembërojë faktet e për pasojë dhe zanafillën e shkakun e kësaj tragjedie.
Gjyshi i fëmijës së ndjerë, Guri Spahiu deklaron se të voglin e kanë larguar nga klinika në gjendje të pavetëdijshme. “Djali hapi njëherë sytë, na pa dhe pastaj nuk u përmend më. Madje në një moment i kapa dorën dhe ia lëshova. I ra në mënyrë të pavullnetshme. Ilaçin e temperaturës ia kemi dhënë më shiringë sepse nuk po reagonte”, thotë ai.
Por Roland Xhaxho pretendon të kundërtën. Në një deklaratë për publikun ai shprehet:
“Djali ka dalë nga klinika i zgjuar në krahët e babait të tij. Në shtëpi, djalit i janë dhënë ilaçet e rekomanduara nga ne, kështu që fëmija patjetër që ka qenë i zgjuar”.
Vijojmë…
Çfarë e vrau Brian Spahiun?
“I dhanë shumë anestezi, na e kanë pranuar dhe mjekët e QSUT-së”,-ngulmon gjyshi, Guri Spahiu.
I vendosur për ti shkuar çështjes deri në fund ai po ‘shfrytëzon’ çdo medium për të folur për të vërtetën e tij:
“Mjekët Xhaxho më vranë nipin. Mbrëmjen e 28 shtatorit e kemi çuar në gjendje koma dhe të zverdhur në urgjencën pediatrike”, thotë ai. “Procedura e parë që bënë mjekët atje ishte heqja e anestezisë së tepërt, ata na thanë se mëlçia ishte jashtë funksionit. Natën e parë na e thanë që fëmija kishte marrë anestezi të tepërt”.
Por dhe kjo akuzë është rrezuar nga mjeku Xhaxho. Ai pretendon se: "Unë nga ana profesionale kam bërë çdo gjë të mundur, dhe në ambientet e QSUT-së bashkë me kolegët e mi të shpëtojmë jetën e fëmijës. Çdo hipotezë keqdashëse në lidhje me gjendjen e fëmijës gjatë anestezisë dhe procedurës dentare është e pajustifikuar”.
Por a shkoi gjithçka në rregull gjatë kësaj procedure? Autoritetet që po merren me hetimin e çështjes kanë shkuar të marrin kamerat në klinikën “Splendent”, të cilat sipas deklaratave të vetë Roland Xhaxhos ishin hequr që me datë 23 shtator për shkak të disa punimeve në klinikë?!
Shumë gjëra nuk janë në rregull në këtë histori e ndaj po rikthehemi sërish tek pyetja e parë: Kush po gënjen?
Neglizhencë apo përpjekje për minimizuar dëmet
Orët e para kritike të Brianit, ato pak orë që ai ndjenji në banesën e tij, të afërmit janë përpjekur të kontaktojnë me mjekun që u mori përsipër ndërhyrjen, Roland Xhaxhon. Ky i fundit deklaroi se asnjë prej të afërmve të Brianit nuk i ka kontaktuar, por disa foto thirrjesh e mesazhesh pa përgjigje u bënë publike në media.
Pra familjarët kanë tentuar të lidhen me mjekun që u mori përsiper rregullimin ‘e disa dhëmbëve’ të fëmijës së tyre, por nuk kanë marrë asnjë reagim prej tij.
Por përveç këtyre episodeve, sigurisht të gjithë ngulmojmë te shkaku: Pse vdiq Briani 3 vjeçar?
A u gabua me aplikimin e anestezisë?
Babai i tij, Bledari sqaron se me mjekun është rënë dakord që në fillim se anestezia do të paguhej në fillim, rreth 300 euro, por në fund të ndërhyrjes ai ka paguar dhe 70 euro ekstra për orë veçse për anestezinë. “Pagesa u bë në fund, madje u pagua 300 euro në fillim. Anestezia pagesën e ka, 300 euro në fillim dhe për çdo orë 70 euro. Rreth 370 euro shtesë bëri.”, thotë Bledari, çka nënkupton se Brian ka ndenjur në anestezi përreth 5 orë. Disa orë më shumë se sa mjekët Xhaxho u kishin deklaruar prindërve.
Por ndërsa familja vajton vdekjen e fëmijës së tij dhe të gjithë presim bashkë të vërtetën e pyetjes se pse vdiq Briani, skeda e vdekjes datë 1 tetor pohon se ishte: Vdekje e papritur nga shkaqe të panjohura më parë.
Ndërkohë që mjekësia ligjore ka marrë kohën për të zbardhur shkaqet që çuan në humbjen e jetës së 3 vjeçarit Klinika ‘Splendent’ ka mbyllur dyert, por aktiviteti është ende i hapur. Urdhri i Mjekut deklaroi se pritet përfundimi i hetimeve dhe ekspertizës mjeko-ligjore për të marrë një vendim nëse do i hiqet licenca.
Por ndërsa të ‘gjithë’ bashkë hezitojnë të thonë diçka më shumë, familja Spahiu ka vendosur të mos heshtë përballë askujt.
“Ata janë bërë bashkë për të penguar të vërtetën të zbardhet. Shiheshin në sy mjekët me njëri tjetrin në orët e fundit të Brianit dhe shumëkush prej tyre nuk do të flasë. Turpi është i bluzave të tyre të bardha”, deklaroi pak orë më parë Guri Spahiu. Maratona ‘e marrë’ e deklaratave të këtyre ditëve të fundit, në mos për shkakun e vdekjes së Brianit, së paku na ka ndriçuar se kush po gënjen. Zëri.ai