
TIRANË- Inteligjenca artificiale është këtu, me të gjithë madhështinë e saj. Qeveritë, agjencitë, sipërmarrjet, kërkuesit shkencorë e deri tek individi i thjeshtë kanë kthyer sytë drejt teknologjisë. E ardhmja është sot! Por bashkë me risqet që ende nuk i njohim. Një debat i zjarrtë është hapur mes të ‘mëdhenjve’ të teknologjisë dhe qeverive mbarë botërore mbi dyshimin nëse jemi ne që e kontrollojmë ‘revanshin’ e teknologjisë apo tashmë jemi produkt i algoritmeve.
Po ne ku jemi?!
Në Shqipëri, rrjeti është trazuar. Fillimisht moderatori Blendi Fevziu, nisi emisionin me një avatar që foli si ai, duke i imituar dhe gjestikulacionin dhe lëvizjen e duarve. Në një tjetër ekran, në Euronews, “Tokio Albania”, një tjetër avatar prezantoi lajmet. Nuk ndodh çdo ditë të të informojë një robot.
Por paralelisht në një studio televizive, një video rozë e një moderatoreje shqiptare po përflitej se po qarkullonte e që madje kishte dalë nga SPAK, aty ku hetohen dosjet e nxehta të drejtësisë shqiptare. Në pak orë, foto të supozuara të marra nga kjo video u shpërndanë dhe në media. U përfolën dhe emra të veçantë, për shkak të ngjashmërisë. Moderatorja Luana Vjollca ‘u detyrua’ të bënte një shpjegim në rrjetet e saj sociale. Ajo çka konfuzoi lexuesit ishte dhe shpërfaqja e një tjetre video, thuajse identike me të parën por me një fytyrë tjetër. Të gjithë jemi të çoroditur. Çfarë po ndodh?! Në studion e ‘Opinion’ ekspertë të IT u përpoqën të shpjegonin se video, më saktë videot ishin prodhim i Inteligjencës Artificiale.
Blerim Gjeladini, ekspert IT pohoi se: Është video me kapacitet shumë të vogël, rreth 757 kilobyte. Video tek metadata nuk kishte asnjë të dhënë të regjistruar nga celulari. Dukej e regjistruar nga një studio. Çdo video ka metadatat e veta. Kjo i kishte të fshira, nuk perceptohej as lloji i celularit ku ishte marrë, gjë që tregon se ishte krijuar në studio.
E mira dhe e keqja vijnë bashkë, apo jo?!
Çështja është se sot, askush nuk flet më për avatarin e Euroneës, e as gjetjet e mrekullueshme që po ndodhin në botë për shkak të aplikimit të IA. Sot në të gjitha tavolinat shqiptare shtrohet pyetja: A ishte apo jo Luana Vjollca, vajza në videon topless? Në vetëm pak orë IA na u shfaq në të gjithë dimensionet e saj. Por a jemi ne në gjendje të mos lejojmë viktima?!
Debati është ndezur dhe jashtë, por qeveritë po lëvizin.
Pak kohë më parë mediat botërore kthyen sytë nga Spanja. Në një provincë të vogël të qytetit, disa djem adoleshentë, njohës të mirë të teknologjisë, kishin marrë fytyrën e shoqeve të tyre të klasës duke gjeneruar foto intime. Më pas, fotot ishin shpëndarë, madje në disa raste kishin shantazhuar të miturat dhe me para’. Në Madrid gjithashtu një gjykatë po heton një rast të ngjashëm që përfshin fotot nudo të dy të miturave, imazhe që vajzat pretendojnë se janë krijuar nga mjetet e Inteligjencës Artificiale. Sipas ligjit spanjoll, të miturit nën moshën 14 vjeç nuk mund të akuzohen, por rastet e tyre i referohen shërbimeve të mbrojtjes së fëmijëve, të cilat mund t’u kërkojnë të miturve të marrin pjesë në shkolla riedukimi. Nëse këta të fundit janë mbi 14 vjeç, ata mund të përballen me akuza për ‘pornografi fëmijësh’ dhe ndoshta krime të tilla si ‘shpifje’, ‘shpifje ose krime kundër integritetit moral’.
Deri më tani, rasti i moderatores është i pari në Shqipëri, por ekziston risku që mund të përhapet edhe më tej si fenomen, me drojën se jemi pa mburojën e institucioneve. Mendoni sikur videoja që zbuloi skandalin e ish-kryebashkiakut të Kukësit, Safet Gjici, të ishte e gjitha një produkt i inteligjences artificiale. Apo më keq të mbrohej duke e cilësuar si të tillë? Keqbërja dhe abuzimi do të ishin shumë të vështira për t’u dalluar. Thelbi është se pavarësisht se gjithmonë do të ketë përfitues, dëmi tek viktimat mund të jetë i pallogaritshëm. Shqetësimi është që nuk do ta dallojmë dot, ndoshta kurrë!
Kontroll ndaj AI apo frika e transformimit në diktaturë
Për t’u thelluar më shumë lidhur me problematikat e çështjës, “Zëri.ai” ka kontaktuar me ekspertin e IT, Tomi Kallanxhi.
“5 rregullatorët që ka vendosur BE për kontrollin e Inteligjencës Artificiale mund ta kthejnë një shtet në diktaturë. Më shqetëson AI, mund ta kthejë një qeveri në diktaturë dixhitale. Kjo është pjesa më shqetësuese e Inteligjencës Artificiale. I gjeneruan një video erotike me Deepfake kundërshtarit të Erdogan. E vështirë është ta kuptosh nëse është reale apo jo? Duhet dekriptuar videoja. Duke u futur në programe të ndryshme humb gjurmët. Në Shqipëri mund ta kenë shërbimet informative. Por si mund të kontrollohet? Ndonjëherë këto gjëra nuk kontrollohen dot. Inteligjenca sa vjen dhe përmirësohet. Për mua është lajm i keq. E lanë në dorë të rrjeteve sociale luftën, por duhet të kërkojmë pak dhe tek shteti. Se kryeministri thotë AI, por parimisht, kjo AI mund të jetë në dëm të qytetarëve sepse rrit centralizimin e informacionit?!,”-u shpreh ai për Zëri.ai.
Si po ‘lëviz’ BE në këtë drejtim
Si pjesë e strategjisë së saj dixhitale, BE-ja dëshiron të rregullojë inteligjencën artificiale (AI) për të siguruar kushte më të mira për zhvillimin dhe përdorimin e kësaj teknologjie. Inteligjenca artificiale mund të krijojë shumë përfitime, të tilla si kujdes shëndetësor më i mirë; transport më i sigurt dhe më i pastër; prodhim më efikas; dhe energji më e lirë dhe më e qëndrueshme. Në prill 2021, Komisioni Evropian propozoi kuadrin e parë rregullator të BE-së për AI. Sistemet e AI që mund të përdoren në aplikacione të ndryshme analizohen dhe klasifikohen sipas rrezikut që paraqesin për përdoruesit. Nivelet e ndryshme të rrezikut do të nënkuptojnë pak a shumë rregullim. Pasi të miratohen, këto do të jenë rregullat e para në botë për AI.
Çfarë kërkon Parlamenti Europian në legjislacionin e AI?
Prioriteti i Parlamentit është të sigurohet që sistemet e AI të përdorura në BE të jenë të sigurta, transparente, të gjurmueshme, jodiskriminuese dhe miqësore me mjedisin. Sistemet e AI duhet të mbikëqyren nga njerëzit, në vend të automatizimit, për të parandaluar rezultate të dëmshme. Parlamenti gjithashtu dëshiron të krijojë një përkufizim neutral ndaj teknologjisë, uniform për AI që mund të zbatohet në sistemet e ardhshme të AI. Po ashtu, sistemet e AI të cilat janë sisteme që konsiderohen si kërcënim për njerëzit dhe do të ndalohen. Ato përfshijnë: manipulimin e sjelljes së njerëzve ose grupeve specifike të cenueshme: për shembull lodra të aktivizuara me zë që inkurajojnë sjellje të rrezikshme tek fëmijët; Vlerësimi social: klasifikimi i njerëzve në bazë të sjelljes, statusit socio-ekonomik ose karakteristikave personale; sistemet e identifikimit biometrik në kohë reale dhe në distancë, të tilla si njohja e fytyrës, etj.
Inteligjenca artificiale gjeneruese, si ChatGPT, do të duhet të përputhet me kërkesat e transparencës: duhet theksuar se përmbajtja është krijuar nga AI; parashikimi i dizajnimit të modelit për të parandaluar që ai të gjenerojë përmbajtje të paligjshme; por edhe publikimi i përmbledhjeve të të dhënave me të drejtë autori të përdorura për trajnim.
Synimi i eurodeputetëve deri më tani është që të arrihet një marrëveshje deri në fund të vitit.
Megjithatë, deri më tani, Shqipëria nuk ka ndërmarrë asnjë masë. Të paktën deri më tani…
Kryeministri lajmëroi sot se teknologjia do të përdoret në institucione që ndikojnë drejtpërsëdrejti në jetën e qytetarëve. Por askush nuk flet për rregullatorë. A po përgatitemi për një epokë të re, me një kuadër ligjor, nisma e marrëveshje për të mbrojtur qytetarët përballë Inteligjencës Artificiale? Ndërkohë që vendet e Bashkimit Europian shtyjnë AI që të lërë shenja mbi fotot/videot dhe materialet e përpunuara, ne ende jemi duke diskutuar nëse një video denigruese është reale apo prodhim IA.
Deri më tani, për t’u mbrojtur do të duhet që të gjejmë rrugë alternative. Nganjëherë ligjore dhe nganjëherë dhe ekstraligjore e sigurisht jo shumë të këndshme…
Paraprakisht dhe në rast nevoje
StopNCII.org është një organizatë bamirëse ndërkombëtare që beson se të gjithë duhet të përfitojnë nga teknologjia, pa dëme. E themeluar në vitin 2000, SWGfL punon me një numër partnerësh dhe palësh të interesuara në mbarë botën për ti mbrojtur të gjithë në internet. Me një shkallë heqjeje mbi 90%, ata kanë hequr me sukses mbi 200,000 imazhe individuale intime jo konsensuale nga interneti./Zëri.ai