
TIRANË- Dritan Rexhepi, i arrestuar sot në Turqi, ka qënë i shpallur në kërkim nga policia shqiptare si porositës i rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës, trupi i të cilit nuk është gjetur ende, ndërsa dyshohet se është zhdukur në zonën e Shijakut. Jan Prenga u rrëmbye në zonën e Kamzës në Janar të vitit 2020, ndërkohë që edhe pse kanë kaluar gati 4 vite nga ky krim, trupi nuk është gjetur ende, ndërkohë që SPAK ka mbyllur hetimet, ku dhe ka akuzuar zyrtarisht Rexhepin si porositës së rrëmbimit të 47-vjeçarit nga Kamza.
Përmes pamjeve filmike është provuar se Jan Prenga u vra në makinë, ndërkohë që trupi i tij u dërgua në resortin Golden në Shijak, në pronësi të vëllezërve Hajri. Dritan Rexhepi, së bashku me shtetasit Gentjan Funiqi, Martin Bleta dhe Korado Keshteja, u akuzuan zyrtarisht për kryerjen e veprave penale “Rrëmbim apo mbajtje peng e personit” kur është shkaktuar vdekja, parashikuar nga nenet 109 paragrafi i tretë dhe 28/4 të Kodit Penal, “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 278 paragrafi i parë dhe 28/4 i Kodit Penal, “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, parashikuar nga nenet 303 dhe 28/4 i Kodit Penal, “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333a/1 dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1 i Kodit Penal.
Por pse kërkoi Rexhepi rrëmbimin e Prengës?
Në dosje raportohet se ai ka pasur konflikt me një nga vëllezërit e Jan Prengës për humbjen e një sasie kokaine në Britaninë e Madhe. Bëhet fjalë për rreth 260 kilogramë kokainë, për zhdukjen e të cilës bosi i kartelit “Bello” kishte vënë gishtin te Astrit Prenga. Rexhepi kishte kërkuar që sasia e drogës ti kthehej mbrapsht, dhe për këtë kishte nisur negociatat me vëllain tjetër të familjes Ndrekë Prenga.
Ky i fundit kishte arritur që të kthente një sasi prej 106 kilogramë drogë dhe 700 mijë euro disa shtetasve polake që vepronin për llogari të Rexhepit. Megjithëse i kishte dhënë fjalën Ndrekë Prengës, Rexhepi nuk iu kishte treguar atyre të vërtetën se i vëllai i tyre Jani kishte vdekur që në momentin e parë të rrëmbimit, pas dhunimit në makinë. Kur mësuan vdekjen e vëllait, Astrit dhe Ndrekë Prenga i kërkuan llogari Rexhepit, se pse marrëveshja që ata kishin bërë për lirimin kishte dëshruar.
Rexhepi iu ka thënë vëllezërve të Jan Prengës, se autorët e rrëmbimit e kishin prerë në besë. Vëllezërit Prenga arritën të kthenin te Rexhepi pothuajse gjysmën e kokainës dhe një shumë parash, por ata nuk e dinin se Jan Prenga ishte vrarë që në momentin e parë të rrëmbimit. Sipas përgjimeve, Rexhepi i ka thënë Ndrek Prengës emrat e pengmarrësve të të vellait, meqë nuk mundi ta mbante fjalen e dhënë per lirimin e tij.
Bëhet fjalë për fisin Hajri që vepron në zonën e Shijakut, si dhe Gentian Doçin, i cili u arrestua vitin e kaluar në Spanjë. Mbetet për t’u parë nëse Dritan Rexhepi do të ekstradohet ndonjëherë në Shqipëri, për t’u përballur me akuzën për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, pasi aktualisht ai ka qenë në kërkim dhe nga 5 shtete të tjera.
/Zëri.ai