
TIRANË- Kreu i Agjensisë së Mbikqyrjes Policore Ardi Veliu ka dhënë përfundimisht dorëheqjen nga ky pozicion, edhe pse fillimisht u tha se ajo nuk i ishte pranuar nga kryeministri Edi Rama. Burime bëjnë me dije për Zëri.ai se Veliu ka mbledhur sot stafin e tij dhe iu ka thënë që e kjo e hënë ishte dhe dita e fundit në krye të këtij institucioni.
Vetë Veliu i kontaktuar nga Zëri, është shprehur shkurtimisht: Po e dorëzova dorëheqjen, më në fund!
Veliu kishte marrë drejtimin e AMP-së rreth një vit më parë, në muajin Shtator të 2022-shit, ndërsa për largimin e tij nuk ka asnjë regaim, as nga vetë institucioni, por as nga ministria e brendshme.
“Kjo është dita ime e fundit”, mësohet të jetë shprehur Veliu bëjnë me dije burimet, i cili ka lënë edhe porositë e fundit në një mbledhje me stafin. Dorëheqja e Veliut vjen pasi emri i tij është përmendur në përgjimet e grupeve kriminale.
Transkriptimet e dosjes ‘Metamorfoza’ që u zbardhën nga autoritetet franceze e që dërguan pas hekurave biznesmenë e zyrtarë, nxorrën zbuluar dhe lidhjet e Veliut me anëtarë të grupeve kriminale. Konkretisht, në një nga bisedat e zhvilluara në ‘SKYECC’, biznesmeni Pëllumb Gjoka, i cili tashmë është pas hekurave, pretendon se ka komunikuar me vetë Ardi Veliun dhe me ish-drejtorin e Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj.
Kjo gjë konfirmohet nga biseda që Oltion Bistri bën me Gjokën, ku duket qartë që ish-shefi i Operacionales që ndodhet aktualisht pas hekurave, ishte kthyer në syrin e veshin e biznesmenit dhe e lajmëronte për çdo kontroll apo vendime të marra në takime e mbledhje të ndryshme. Bistri gjithashtu kishte hyrë “mik” tek Rebani Jaupaj, drejtor i Policisë së Tiranës në kohën që është zhvilluar biseda, dhe tek Ardi Veliu.
-
'SKYndal' largon kryehetuesin! Ardi Veliu jep dorëheqjen
19 Tetor, 16:10 -
-
SKYECC që 'dogji' Ardi Veliun
19 Tetor, 16:35 -
Hetoni "KryeHetuesin"!
5 Tetor, 12:16
Më datë 4 tetor, pasi bisedat mes Gjokës e Bistrit kishin bërë xhiron e mediave, e pasi e kishte vënë në dyshim edhe më herët postin e mbajtur nga Veliu, vetë Ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaroi se shumë shpejt do të nisë ‘fshesën’ për të nxjerrë jashtë Policisë së Shtetit të gjithë të inkriminuarit dhe bashkëpunëtorët me personazhet e botës së krimit. Në mënyrë të drejtpërdrejtë, Balla është shprehur se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka kapur ‘keqbërës të vegjël’.
“Për çdo punonjës të policisë së shtetit që do të rezultojë se do të ketë pasur akses në Encrochat apo SKY, do të përjashtohet nga Policia e Shtetit, edhe nëse në ato komunikime nuk rezulton të ketë asnjë aktivitet kriminal,”- deklaroi Balla, duke shtuar se kishte kërkuar informacione nga Europoli, por edhe nga drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku e kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Ardi Veliu.
Kjo deklaratë ngriti shumë pikëpyetje, por më kryesorja ishte: Si mundej Veliu të hetonte efektivët kur ishte vetë pjesë e bisedave kur kolegu i tij, Oltian Bistri e bën personazh të pazareve të bëra nën dorë për të favorizuar biznesmenë e jo vetëm?
Tashmë dorëheqja e tij është zyrtarizuar dhe mbetet për t’u parë nëse pas saj Veliu do të përballet me drejtësinë, siç kanë bërë edhe vartës të tij më herët. Më herët Veliu ka qenë në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit si dhe atë të zv.ministrit të Energjisë dhe Infrastrukturës./Zëri.ai