
TIRANË- Do të jetë një ditë e ngjeshur kjo e sotmja me zhvillimet që pasojnë aksionin e SPAK, që çoi në pranga për akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të pastrimit të parave Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha, ndaj të cilit po ashtu u dha masa e detyrimit për paraqitje. Në mesditë, rreth orës 13:30 në ambientet e GJKKO pritet që të mbahet seanca për masën e sigurisë për Jamarbër Malltezin, Sali Berishës dhe Fatmir Bektashin.
Berisha nuk Ka konfirmuar deri tani prezencën e tij në Gjykatë, edhe pse në dy raste oficerët i shkuan njëherë në selinë e PD dhe më pas në banesë për ta njoftuar në lidhje me seancën. Prokuroria pritet që të kërkojë të njëjtat masa për personat e përfshirë në dosje, Malltezin arrest me burg, dhe për Berishën e Bektashin detyrim paraqitje, dhe ndalim për të dalë jashtë vendit, për shkak të moshës së tyre.
Nga ana tjetër pas dy ditësh në heshtje të plotë, sot pritet që të ketë një qëndrim mbi dosjen “ish-Partizani” dhe nga kreu i grupit parlamentar në PD Gazment Bardhi. Kur u duk se marrëdhënia e tij me Berishën ishte vënë në vijë, me një dakordësi me bazë të gjerë të deputetëve të PD, që nisën dhe një aksion qëndrese, Bardhi dhe njëherë tjetër do të duhet të shprehë qëndrimin e tij nëse është me Berishës, apo me drejtësinë, pas së cilës qëndron edhe SHBA. Kjo është hera e parë që një deputeti i vihet një masë sigurie pa marrë mendimin e parlamentit, dhe sipas Berishës kjo është bërë në shkelje të Kushtetutës, mbetet për t’u parë nëse Bardhi do të ketë të njëjtin qëndrim me të.
Lulzim Basha nga ana e tij, edhe pse nuk ka folur direkt për çështjen që implikohet familja Berisha, ku dhe vetë ai ka hedhur firmë për lejimin e 17 kullave, në kohën kur ka qenë në krye të Bashkisë së Tiranës, dha një mesazh në rrjetet sociale, ku tha se korrupsionit duhet t’i jepet fund, dhe se personat përgjegjës duhet të dalin përpara drejtësisë.
Zëri.ai zbardhi gjatë ditës së djeshme dosjen e SPAK, ku thuhej se Berisha kishte urdhëruar vartësit dhe kishte ndryshuar ligjet në mënyrë që të favorizonte dhëndrin e tij, për marrjen e ish-pronës. Në dosje përmendeshin dhe një sërë ministrash që kanë shërbyer në qeverinë Berisha, të cilët kanë pasur rol në privatizim përmes firmave të tyre. Dy prej ish-ministrave Genc Ruli, dhe Fatmir Mediu, kishin deklaruar në SPAK se nuk ishin në dijeni se në mesin e ish-pronarëve përfitues ishte dhe Malltezi.
Ky i fundit së bashku me trashëgimtarët e tjerë nisën nga puna për të marrë ish-pronën e tyre, vetëm një muaj pas ardhjes në pushtet të qeverisë Berisha në vitin 2005, privatizim i cili do të përfundonte rreth 2 vite më vonë. Fillimisht trualli në fjalë u hoq nga lista e pronave të mbrojtura në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, dhe më pas iu ndryshua destinacioni, nga kompleks sportive, në zonë banimi. Sipas SPAK fitimi që ka marrë Malltezi nga shitjet në këtë pronë kapin shifrën e më shumë se 5 milionë eurove./Zëri.ai