Aktualitet

“U habita pak”, si e caktoi Berisha drejtoreshën e Kthimit dhe Kompesimit të Pronave

Në dosjen e siguruar nga Zëri.ai del në pah dhe emërimi me një të rënë të lapsit i drejtoreshës së Agjensisë për Kthimin dhe Kompesimin e Pronave

E.K
“U habita pak”, si e caktoi Berisha drejtoreshën e Kthimit dhe
Sali Berisha dhe Justina Borici

TIRANË- Në dosjen voluminoze të SPAK për privatizimin e ish-kompleksit Partizani, zbërthehet me detaje dhe roli i ish-kryeministrit Sali Berisha në favorizimin e dhëndrit të tij. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Berisha ka kryer një sërë ndryshimesh ligjore, dhe emërimesh në pozicione kyçe, në mënyrë që Malltezi të ishte përfitues i sipërfaqes së konsiderueshme të tokës, ku më pas u ngritën 17 pallate, ne vlerë fitimi miliona euro.

Në 21 Nëntor 2006, në mbledhjen e Këshillit të Rregullimit të Territorit, kryetari i saj Sali Berisha ka firmosur ndryshimin e destinacionit për zonën në rrugën Frosina Plaku, nga zonë sportive në zonë banimi, edhe pse në shkelje të ligjit sipas SPAK. Kjo i hapi rrugë Shoqërisë Kontakt që të niste dhe ndërtimin e pallateve disa vite më vonë.

Por nuk mbaron me kaq!

Pasi Berisha ka ndryshuar ligjin për kthimin dhe kompesimin e pronave në favor të rastit të ish-dhëndrit të tij. Sipas SPAK një sërë ndryshimesh janë kryer në ligj që ti shërbenin Malltezit dhe familjeve të tjera përfituese. Po ashtu sipas SPAK nën qeverisjen e Verishës është rritur roli që ka Këshilli i Ministrave në kthimin dhe kompesimin e pronave.

Berisha ka emëruar në krye të Agjensisë së Kthimit dhe Kompesimit të Pronave shtetasen Justina Boriçi, në Gusht të 2006-tës, e cila pranon se ka qenë anëtarë e Partisë Demokratike, dhe më herët ka mbajtur disa pozicione në Ministrinë e Bujqësisë.

Ajo ka deklaruar: Në gusht 2006, më kërkoi Sali Berisha. Më tha ministri i Bujqësisë Jemin Gjana se Berisha donte të më takonte. Më erdhi pak e habitshme. E kam takuar Berishën në zyrën e tij, dhe ai më bëri me dije se më kishte emëruar drejtoreshë në Agjensinë e Kthimit dhe Kompesimit të pronave.

Pas emërimit të Boriçit, sipas SPAK, një tjetër emër ka shkuar me ‘porosi’ nga lart për t’u marrë me kthimin e pronave te familja Begeja, është shtetasja Dhurata Hoxha, si dhe specialist Altin Ceni.

Këtu thotë SPAK ka nisur nga puna dhe për kthimin e pronave te familja Begeja, pasi Berisha kishte ndryshuar ligjin dhe kishte vënë persona të besuar në poste kyçe.

‘"Shtetësja Justina Boriçi emëron më pas drejtoreshën e Zyrës Rajonale të AKKP, shtetasen Dhurata Hoxha (Çela), me urdhrin nr. 203 datë 09.10.2006. Në deklarimin e datës 26.09.2023, shtetasja Justina Boriçi deklaron se: “…Unë nuk e njihja Dhurata Hoxhën dhe emërimi i saj mesa më kujtohet ka ardhur me rekomandim por nuk më kujtohet se kush saktësisht e ka rekomanduar. Përgjithësisht rekomandimet vinin nga lart që mund të ishte zëvendës kryeministri, por në rastin konkret nuk di të jap një përgjigje të saktë…”.

Gjithashtu nga shtetasja Justina Boriçi emërohen edhe punonjës të tjerë që kanë kryer veprime në përgatitjen dhe kthimin e pronës familjes Begeja dhe familjeve të tjera. Kështu rezulton se shtetasi Altin Ceni ka filluar punë sipas urdhrit nr. 246 datë 01.11.2006 “Për emërim në detyrë” të drejtorit të përgjithshëm Justina Boriçi, në detyrën e specialistit në Sektorin Juridik. Me urdhrin nr. 248 date 01.11.2006 “Për emërim në detyrë” të drejtorit të përgjithshëm Justina Boriçi, rezulton se është emëruar në detyrën përgjegjëse në sektorin juridik shtetasja Tetis Lubonja.”, thuhet mes të tjerash në dosjen e SPAK.

Kthimi përfundimtar i pronave te familja Begeja është bërë në 21 Mars të vitit 2007, dhe ka marrë formën e prerë në 7 Maj të së njëjtit vit. Po e njëjta procedurë është ndjekur dhe për pronat e familjes Saliaga, një tjetër prej përfituesve në proces.  

/Zëri.ai

Poll

MOS HUMB