Opinione

Hetoni "KryeHetuesin"!

Pastrimi i Policisë së Shtetit duhet të jetë një gjë më serioze se çarjet që i bën Ardi Veliu atij që se shkruajmë dot

Zëri
Hetoni "KryeHetuesin"!
Ardi Veliu

I përkëdheluri i të gjithë Ministrave të Brendshëm, që nga Saimir Tahiri që e riktheu në Polici në vitin 2013, për të vazhduar me Fatmir Xhafën që e emëroi Drejtor të Përgjithshëm, nga Sandër Lleshi dhe Bledi Çuçi, e deri ditët e sotme që në detyrën e Ministrit është Taulant Balla, ndoshta me shkëputje fare të vogla, Ardi Veliu mund të quhet me plot gojën ¨i përkëdheluri¨më i madh në Policinë e Shtetit. 

Sot në detyrën më të rëndësishme, pas asaj të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ardi Veliu supozohet të jetë kryehetuesi i punonjësve të policisë në drejtim të Agjensisë së Mbikqyrjes Policore, prej nga pritet të zbulohen dhe vihen para përgjegjësisë policët që nuk zbatojnë detyrën, shkelin ligjin apo më keq akoma, përfshihen në aktivitet kriminal.

Lista e skandaleve të ndodhura në kohën kur drejtonte Policinë e Shtetit është më e gjatë se lista e arritjeve që mund ti rreshtoheshin një drejtuesi kaq të lartë shtetëror. Por së fundmi, emrit të Ardi Veliut iu shtuan edhe hije të rënda dyshimi për, më së paku, dijeni, e më shumë akoma, për pjesëmarrje aktive në lejimin e aktiviteteve kriminale gjatë kohës që ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. 

Transkriptet e Olti Bistrit, ish Drejtori i forcave operacionale, sot i arrestuar nga SPAK për "shpërdorim detyre" dhe "pjesëmarrje në grup kriminal", nuk lënë vend për asnjë dyshim lidhur me dijeninë dhe lejimin e lojrave të paligjshme të fatit, para të cilave Ardi Veliu kishte mbyllur sytë dhe gojën. 


¨Bile dhe për këtë më çau ka*in. I thashë e lë punën e se heq se i kam dhënë llafin¨ është vetëm një fjali e zbardhur nga transkriptet e komunikimeve të aplikacionit SKY ECC që përdorte Olti Bistri dhe Pëllumb Gjoka, i njohur deri vonë si biznesmen, madje investitor strategjik, por i cilësuar nga SPAK si i dyshuar kryesor për pjesëmarrje në grup kriminal që porosiste dhe kryente vrasje ¨me klering¨, së bashku me një mori aktivitetesh të tjera kriminale, duke përfshirë lojrat e paligjshme të fatit. 

Duket se fjalia është në kontekstin e kërkesave për ta shtuar aktivitetin e paligjshëm të lojrave të fatit, aq sa Olti Bistri i justifikohet Pëllumb Gjokës se edhe për ato që kanë pasur ndërkohë në aktivitet, Ardi Veliu, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, maksimumi që ka bërë përballë aktiviteteve të paligjshme, ka qenë ti ¨çajë ka*in¨ vetë Olti Bistrit, pra vartësit të tij. Por vetëm kaq. Nuk ekziston asgjëkundi prova se vetë Veliu ka ndërmarrë ndonjë veprim ligjor për të shkarkuar vetë Olti Bistrin, i cili mesa duket i shkonte në zyrë për llogari të botës së krimit, e as për të mbyllur lojrat e paligjshme të fatit për të cilat paska pasur dijeni.  

Pra mjafton kjo fjali për të kuptuar se Ardi Veliu ka pasur dijeni për një aktivitet kriminal dhe nuk ka vepruar, as ndaj vartësit të tij që e lejonte e madje ia thoshte, e as ndaj aktivitetit kriminal që ia prezantonin dhe në zyrë.  

I paguar apo i detyruar, kjo është më shumë një çështje që i takon SPAK për ta zbardhur në qoftë se Ardi Veliu merret si i pandehur, gjë që është shumë e çuditshme përse nuk ka ndodhur ende, por është e mjaftueshme për të gjykuar moralin e njeriut që sot u dashka edhe të hetojë të gjithë punonjësit e policisë për shkelje ligji apo përfshirje në aktivitet kriminal.

Profili i zyrtarit që mbyll sytë duke bërë sikur i ¨çan ka*in¨ vartësve që lejojnë paligjshmëritë, sot bëhet më i sikletshëm, kur vetë Taulant Balla si Ministër i Brendshëm, ka përcaktuar një standard të ri, që për hir të së vërtetës, asnjë vend tjetër nga ato që janë marrë me transkriptet e SKY ECC nuk e ka adoptuar. Sipas tij, çdo punonjës policie i përmendur në SKY, do të pezullohet/ përjashtohet nga Policia e Shtetit e madje do të hetohet nga AMP.

Kjo është pikërisht Agjensia që drejton Ardi Veliu, njeriu që përmendet i pari në SKY ECC, e jo vetëm përmendet por lë të kuptohet se edhe është përfshirë kokë e këmbë në atë aktivitet kriminal, gjë që vetëm një hetim penal i SPAK mund të sqarojë.

Kriteri i përcaktuar nga Taulant Balla është padyshim i duhuri, veçanërisht në këtë situatë ku përfshirja e Policisë në aktivitete kriminale është kthyer në normë. Ka nevojë për pastrim radikal. 


Por këtë detyrë, Taulant Balla nuk mund as t'ia ngarkojë e as t'ia besojë Ardi Veliut. Ndaj hapi i parë është pikërisht largimi i tij nga ajo detyrë. Madje edhe në qoftë se për një konjukturë të caktuar politike duan ta mbajnë patjetër në atë detyrë, të paktën Taulant Balla të mos ia besojë Ardi Veliut dhe agjensisë që ai drejton, hetimin e të gjithë policëve të përmendur në SKY ECC.

Largimi i Ardi Veliut do ishte nisja më e ndershme e një procesi kaq të rëndësishëm, qoftë edhe përballë sikletit që mund të kenë qindra e qindra policë, që sipas kolegëve tanë të kronikës, presin me sot e nesër të dëgjojnë emrin në edicionet e lajmeve si të përmendur në SKY ECC nga komunikimet e botës së krimit. 

Të përmendur pa përgjegjësi apo të përfshirë me përgjegjësi kriminale, i takon SPAK ta hetojë. Taulant Balla si të parëve ashtu dhe të dytëve, u detyrohet të paktën një hetim të drejtë nga njerëz e struktura që nuk kanë vetë asnjë hije dyshimi. E kjo bëhet vetëm duke larguar (dhe hetuar) vetë kryehetuesin e sotëm. 

Pastrimi i Policisë së Shtetit duhet të jetë një gjë më serioze se çarjet që i bën Ardi Veliu atij që se shkruajmë dot./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB