Aktualitet

SKYECC që 'dogji' Ardi Veliun

Më datë 4 tetor, pasi bisedat mes Gjokës e Bistrit kishin bërë xhiron e mediave, e pasi e kishte vënë në dyshim edhe më herët postin e mbajtur nga Veliu, vetë Ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaroi se shumë shpejt do të nisë ‘fshesën’ për të nxjerrë jashtë Policisë së Shtetit të gjithë të inkriminuarit dhe bashkëpunëtorët me personazhet e botës së krimit.

F.m
SKYECC që 'dogji' Ardi Veliun
Ardi Veliu

TIRANË- Aksesi në ‘SKYECC’, aplikacioni që ka krijuar urat mes grupeve kriminale i ‘preu kokën’ vetë kreut të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, Ardi Veliu. Transkriptimet e dosjes ‘Metamorfoza’ që u zbardhën nga autoritetet franceze e që dërguan pas hekurave biznesmenë e zyrtarë, nxorrën zbuluar dhe lidhjet e Veliut me anëtarë të grupeve kriminale. Konkretisht, në një nga bisedat e zhvilluara në ‘SKYECC’, biznesmeni Pëllumb Gjoka, i cili tashmë është pas hekurave, pretendon se ka komunikuar me vetë Ardi Veliun dhe me ish-drejtorin e Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj.

Kjo gjë konfirmohet nga biseda që Oltion Bistri bën me Gjokën, ku duket qartë që ish-shefi i Operacionales që ndodhet aktualisht pas hekurave, ishte kthyer në syrin e veshin e biznesmenit dhe e lajmëronte për çdo kontroll apo vendime të marra në takime e mbledhje të ndryshme. Bistri gjithashtu kishte hyrë “mik” tek Rebani Jaupaj, drejtor i Policisë së Tiranës në kohën që është zhvilluar biseda, dhe tek Ardi Veliu.

Më datë 4 tetor, pasi bisedat mes Gjokës e Bistrit kishin bërë xhiron e mediave, e pasi e kishte vënë në dyshim edhe më herët postin e mbajtur nga Veliu, vetë Ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaroi se shumë shpejt do të nisë ‘fshesën’ për të nxjerrë jashtë Policisë së Shtetit të gjithë të inkriminuarit dhe bashkëpunëtorët me personazhet e botës së krimit.

Në mënyrë të drejtpërdrejtë, Balla është shprehur se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka kapur ‘keqbërës të vegjël’, duke kërkuar një hap tjeter, që duket se sot u finalizua.

 “Për çdo punonjës të policisë së shtetit që do të rezultojë se do të ketë pasur akses në Encrochat apo SKY, do të përjashtohet nga Policia e Shtetit, edhe nëse në ato komunikime nuk rezulton të ketë asnjë aktivitet kriminal,”- tha Balla prerë, duke shtuar se ka kërkuar informacione nga Europoli, por edhe nga drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku e kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Ardi Veliu.

Kjo deklaratë ngrinte shumë pikëtpyetje, por më kryesorja ishte: Si mundet Veliu të hetojë efektivët kur është vetë pjesë e bisedave kur kolegu i tij, Oltian Bistri e bën personazh të pazareve të bëra nën dorë për të favorizuar biznesmenë e jo vetëm? 

Tashmë, dorëheqja në tryezën e Ballës është vetë përgjigjia dhe tregon se drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore u bë vetë personi i parë i sakrifikuar i operacionit ‘fshesa’ në radhët e bluve.

Të përkëdhelurit të të gjithë Ministrave të Brendshëm, njeriut që para lojrave të paligjshme të fatit, kishte mbyllur sytë dhe gojën, i ‘ngeci’ sharra në gozhdë…

Tani mbetet për tu parë nëse pas largimit si kreu i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, Veliu do të merret nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Poll

MOS HUMB