TIRANË- Deputetja socialiste Zegjine Çaushi ka reaguar pas raportimeve se daja i saj, Bledar Bakaj, është përfshirë në një përplasje me ish-bashkëjetuesen e tij Merita Gremaj dhe ka plagosur babanë e kësaj të fundit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Çaushi sqaron se për ngjarjen është informuar nga mediat dhe se nuk ka pasur dijeni për episodet e dhunës të pretenduara nga 34-vjeçarja Merita Gremaj. Madje, për këtë të fundit, deputetja thotë se i ishte prezantuar si bashkëjetuesja e Bledar Bakajt. Gjatë bisedës, sipas deputetes, 34-vjeçarja i kishte thënë se i kishte marrë parasysh edhe kushtet në të cilat ai jetonte, pavarësisht se babai i saj nuk e kishte aprovuar lidhjen.
Ajo tregon se takimi kishte ndodhur në fillim të muajit qershor dhe se në atë moment marrëdhënia mes çiftit dukej normale. Madje, sipas deputetes, gjatë bisedës ishte diskutuar edhe mundësia e martesës së tyre.
Sa i përket ngjarjes së fundit në fshatin Suk, Çaushi thekson se dënon me forcë çdo formë dhune, pavarësisht se nga kush është ushtruar, teksa shton se për këtë duhet të flasin autoritete ligjzbatuese.
Reagimi i plotë i Zegjine Çaushi:
Duke iu referuar ngjarjes së ndodhur në fshatin Suk 2 dhe të publikuar nga mediat më 14.09.2026 dhe 15.09.2026, dëshiroj të sqaroj opinionin publik lidhur me informacionet e dhëna deri tani.
Familja e nënës sime përbëhet nga 11 fëmijë: 9 motra dhe 2 vëllezër. Të gjithë kanë familjet, punët dhe jetët e tyre, ndaj natyrshëm nuk kemi kontakte të vazhdueshme dhe të pandërprera me njëri-tjetrin.
Vëllain e nënës, Bledar Bakaj, së bashku me znj. Merita Gremaj, e kam takuar rastësisht pas një takimi që kisha në atë zonë, në fillim të muajit qershor. Kam kaluar pranë banesës dhe kam parë të afërm dhe fqinjë, rreth 10-15 veta, në oborrin e banesës. Madje, aty kam takuar edhe një kushëri, të cili Merita Gremaj e kishte njeriun e afërt nga fisi i të atit.
Sapo kam hyrë në oborr kam pare Meriten, e cila m’u prezantua si bashkëjetuesja e Bledarit. I urova padyshim për lidhjen e tyre, pasi atë gjë po bënin edhe fqinjet qe ishin prezent dhe më pas, si unë, edhe kushëriri im iu drejtuam: “E keni ndarë mendjen? Do martoheni?”
Merita Gremaj tha : “Po po, i kam marrë parasysh kushtet në të cilat Bledari jeton, edhe pse babai s’e ka me qejf…”
“Se mos na hapni probleme”, iu drejtova pas fjalëve të saj, referuar pelqimit te babait. Gjëja kaloi me të qeshura dhe urime nga njerëzit e pranishëm.
Kam ndenjur rreth 10 minuta dhe kam levizur për angazhimet e mia, të tjerët kanë vazhduar të qëndronin.
Pas disa ditësh, pashë edhe në rrjetet sociale, fotografi të tyre së bashku, të qeshur dhe me lule në duar.
Ky është i gjithë informacioni që kam pasur dhe kam në lidhje me marrëdhënien e tyre.
Për këtë ngjarje jam informuar përmes mediave, njësoj si opinioni publik.
Dua ta them shumë qartë: dënoj me forcë çdo formë DHUNE, pavarësisht se nga KUSH është ushtruar.
Në të njëjtën kohë, mendoj se ky është një rast që duhet të trajtohet me seriozitet e kujdes edhe nga këndvështrimi psikologjik, për të dy personat, me qëllim gjetjen e zgjidhjes së duhur dhe parandalimin e çdo përshkallëzimi të mëtejshëm.
Për pjesën tjetër, organet ligjzbatuese duhet të bëjnë punën e tyre.
Ngjarja ndodhi në Suk të Roskovecit, 52 -vjeçari Bledar Bakaj ka shkuar në shtëpinë e ish-bashkëjetueses dhe pas një konflikti me babanë e saj, dyshohet se e ka goditur me drapër këtë të fundit. Siç bëri me dije Policia, i lënduari Enver Gremaj ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa autoi Bledar Baka, u arrestua gati 30 minuta pas ngjarjes. 52-vjeçari u arretua për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”./ZËRI

