Aktualitet

Gjykata braziliane jep 'dritën jeshile', miraton ekstradimin e Ervin Matës drejt Shqipërisë (VENDIMI-DOKUMENT)

Sipas vendimit të gjykatës braziliane, dokumentacioni i paraqitur nga autoritetet shqiptare plotëson kushtet ligjore të nevojshme për ekstradimin e Matës.

zh.ll
Gjykata braziliane jep 'dritën jeshile', miraton ekstradimin e
ervin mata

TIRANË- Gjykata Supreme Federale e Brazilit ka miratuar unanimisht kërkesën e autoriteteve shqiptare për ekstradimin e Ervin Matës drejt Shqipërisë.

Vendimi është marrë nga trupi i parë i Gjykatës Supreme, në kuadër të seancës virtuale të zhvilluar nga data 14 deri më 21 gusht 2026. Sipas vendimit të gjykatës braziliane, dokumentacioni i paraqitur nga autoritetet shqiptare plotëson kushtet ligjore të nevojshme për ekstradimin e Matës.

"Veprat penale që i atribuohen personit që kërkohet të ekstradohet korrespondojnë, sipas legjislacionit vendas, me krimin e trafikimit ndërkombëtar të drogës, siç parashikohet në nenet 33 dhe 35, në lidhje me nenin 40, pika I, të Ligjit Nr. 11.343/2006. Kështu, është përmbushur kërkesa e dënueshmërisë së dyfishtë, e përcaktuar në nenin 82, pika II, të Ligjit Nr. 13.445/2017. 6", thuhet në vendimin prej 23 faqesh.

Kështu, Gjykata Supreme Federale e Brazilit i ka dhënë dritën jeshile kërkesës së Shqipërisë për kthimin e Ervin Matës në vend, ku ai do të përballet me drejtësinë shqiptare.

"Përgjigjja është pohuese. Qeveria kërkuese ka paraqitur të gjitha faktet që përbëjnë bazën e kërkesës për ekstradim, duke kufizuar objektin e pretendimit të saj sipas kërkesës për shqyrtim nga Gjykata Supreme Federale. Dokumentacioni i paraqitur në dosje ofron hollësi të sakta lidhur me vendndodhjen, datën, natyrën dhe rrethanat e veprave penale.", thuhet në vendim.

Mata u arrestua në prill të këtij viti, në një operacion policor në Ilhabela, në bregdetin verior të São Paulo, për llogari të autoriteteve në Gjermani, ndërsa kërkohet edhe nga Shqipëria. 39-vjeçari po pushonte në një lokal në qytetin e Sao Paolo, në një zonë turistike. Arrestimi në Ilhabela ndodhi pasi informacionet e inteligjencës treguan se Mata po udhëtonte drejt Bregut Verior. Gjatë monitorimit, policia identifikoi se ai kishte përdorur rrugë alternative, duke përfshirë udhëtimin me det për në Ilhabela.

Prej më shumë se dy vitesh, autoritetet shqiptare kishin vënë nën monitorim lëvizjet e Ervin Matës në disa vende të Amerikës Latine.

Sipas autoriteteve në Shqipëri, Mata ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar që në vitin 2023, ndërsa në vitin 2025 ishte firmosur edhe urdhri për arrestimin e tij me qëllim ekstradimin. Ai akuzohet për trafik ndërkombëtar droge, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe veprimtari të tjera të paligjshme. Mata dyshohet se ka koordinuar trafikimin e 240 kilogramëve kokainë në Frankfurt, në vitin 2020. /ZËRI

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB