
TIRANË-Ministri i Brendshëm Ervin Demo në një deklaratë të përbashkët me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita prezantoi bilancin e të lënduarëve dhe të arrestuarve. Demo deklaroi se gjatë protestave janë lënduar 347 persona në total, 200 prej tyre policë dhe 107 protestues, ndërsa 39 janë kalimtarë.
Ministri i Brendshëm njoftoi se 7 punonjës të Policisë së Shtetit janë pezulluar nga detyra dhe janë vënë nën hetim, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po shqyrton dhjetëra raste të tjera të referuara nga vetë Policia e Shtetit. Demo shprehu shqetësim për përfshirjen e të miturve në protestat e dhunshme, ku njoftoi se deri më tani janë shoqëruar 269 të mitur.
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo: Javët e fundit kanë qenë dhumë sfiduese për policinë e shtetit dhe një bilanc negativ për të lënduar. 347 janë të lënduar dhe në fillim unë nuk do të doja të bëja diferencim mes punonjësve të Policisë së Shtetit, protestuesve apo kalimtarëve. 107 protestues të lënduar, 39 kalimtarë të lënduar, përfshirë edhe gazetarë. Këto shifra janë një kambanë alarmi sa i përket nivelit të dhunës dhe trajtimit proporcional që Policia e Shtetit ka bërë. Qëndrimi i Ministrisë së Brendshme është i qartë: ne garantojmë të drejtën kushtetuese, ashtu si dhe ndërhyrjen proporcionale. Policia e Shtetit ka ndërmarrë masat e duhura, 7 punonjës të pezulluar dhe nën hetim, por edhe AMP është duke punuar në dhjetëra raste që janë referuar nga qytetarë apo hetim për raste specifike. Shifrat e shoqërimeve tregojnë se numri i të miturve është shumë shqetësues. Janë shoqëruar 269 persona nën moshën 18 vjeç.
Për të monitoruar reagimin e policisë ndaj protestuesve, ministri Ervin Demo bëri me dije se do të vendosen në funksion kamerat e trupit, fillimisht për Policinë e Tiranës.
“Kamerat e trupit, shumë shpejt do t’i vendosim në funksion duke filluar me punonjësit e Policisë Tiranë. Do të kemi përdorimin e imazheve për të faktuar edhe dhunën. Jemi duke parë mundësinë për të fuqizuar komunikimin brenda strukturave me radiot e reja”, tha Demo.