ELBASAN- Zhvillimet e fundit në vend, nga protestat te paraburgimi i kryebashkiakut Erion Veliaj, ishin në fokus të diskutimeve të takimit të katërt të Komitetit të Përbashkët Konsultativ CoR-Shqipëri, i zhvilluar në Elbasan.
Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, komentoi protestat në Shqipëri, duke theskuar se nuk ka vend për dhunë në një vend demokratik. Sipas ambasadores, pakënaqësitë e qytetarëve duhet të adresohen në institucionet demokratike dhe jo në rrugë.
"Në Shqipëri dhe në disa vende të Europës po shohim protesta të dhunshme. Kjo nuk mund të ndodhë në demokraci dhe nuk duhet të ndodhë në vendet ku ne mbrojmë demokracinë. Nuk duhet të ketë dhunë në rrugë. Pakënaqësitë e qytetarëve duhet të adresohen në institucionet demokratike.
Nga ana tjetër, institucionet duhet të kenë kapacitetet e duhura për të treguar se mund t’i trajtojnë pakënaqësitë e qytetarëve. Pra, kjo është një punë e madhe që duhet të bëjnë politikanët dhe nëpunësit civilë, për të forcuar kapacitetet e institucioneve në adresimin e këtyre pakënaqësive. Ne nuk e shohim këtë te dhuna që po përshkallëzohet.", është shprehur ambasadorja.
"Të papranueshme" e cilësoi dhunën në protesta edhe bashkëkryetari i Komitetit të Përbashkët Konsultativ CoR-Shqipëri, Antonio Mazzeo, i cili u ndal më pas edhe te paraburgimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Duke iu referuar raportit të paraqitur pranë Këshillit të Evropës për praktikën e paraburgimit të zgjatur të kryetarëve të bashkive, ai tha se po e ndjekin me vëmendje situatën e Velaijt, teksa theksoi rëndësinë e garantimit të një procesi të drejtë dhe të respektimit të pavarësisë së gjyqësorit.
"Më falni se po hyj në një dinamikë me karakter lokal, por është raporti i paraqitur pranë Këshillit të Evropës lidhur me praktikën e paraburgimit të zgjatur ndaj kryetarëve të bashkive, duke sjellë në vëmendje edhe vëzhgimet nga Komisioni i Vjenës. Më duhet të them se ne, si përfaqësues të autonomive vendore, po e ndjekim me shumë vëmendje atë që po ndodh sot lidhur me kryetarin e bashkisë së Tiranës, duke ritheksuar rëndësinë e respektimit të plotë të procesit të rregullt ligjor dhe të pavarësisë së gjyqësorit", tha ai.