Politikë

Zgjedhjet vendoret 2027 do të mbahen më 9 maj

Data e zgjedhur nga Begaj, u propozua gjatë takimit nga përfaqësuesit e Partisë Social-Demokrate.

F.I

Zgjedhjet vendoret 2027 do të mbahen më 9 maj

foto ilustruese

TIRANË-Presidenti i Republikës Bajram Begaj dekretoi datën 9 maj 2027 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore. Vendimi vjen pas konsultimeve që kreu i shtetit zhvilloi gjatë paradites me partitë politike, ku morën pjesë vetëm përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit. Partitë e opozitës e refuzuan ftesën e Presidentit. Data e zgjedhur nga Begaj, u propozua gjatë takimit nga përfaqësuesit e Partisë Social-Demokrate. Data 2 maj ishte përjashtuar nga mundësitë, pasi përkon me Pashkët Ortodokse.

Zgjedhja e 9 majit erdhi si propozim i vetë Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, me arsyetimin se kjo datë i jep më shumë kohë KQZ-së për marrjen e masave zbatuese dhe përgatitjen logjistike të procesit. Propozimi u mbështet gjithashtu edhe nga Partia Socialdemokrate.

Në njoftim theksohet se data e zgjedhur nuk lidhet me asnjë rezervë apo paragjykim për favorizimin e palëve të caktuara apo për ndikim në vullnetin e lirë të zgjedhësve.

Presidenti u ka bërë thirrje subjekteve politike të marrin pjesë në zgjedhje me alternativa, platforma dhe kandidatë, si dhe të garantojnë një proces të drejtë, konkurrues dhe në përputhje me standardet demokratike. Ai gjithashtu ka kërkuar bashkëpunim të plotë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mbarëvajtjen e procesit.

Zgjedhjet vendoret 2027 do të mbahen më 9 maj

MOS HUMB