TIRANË- Seanca e kesaj të marte ka sjellë një tjetër përplasje në Komisionin e Ligjeve ku përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë kanë kundërshtuar mënyrën se si mazhoranca ka propozuar ndryshimin e pagave. Krerët e institucioneve të drejtësisë kanë shprehur rezerva për rritjen prej 5.5% të parashikuar në draftin e Partisë Socialiste, duke argumentuar se formula e re nuk garanton ruajtjen e nivelit të mbrojtjes financiare të magjistratëve.
Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë Mirela Bogdani e konsideroi rritjen e propozuar të pamjaftueshme në raport me përllogaritjet e bëra nga vetë KLP-ja.
View this post on Instagram
“Ne referim te atij informacioni qe ne kemi marë për një rritje 0.02% , rritje është minimale krahasuar me atë që përcakton apo ka përllogaritur vetë Këshilli për pagat e anëtarëve të vet. Do të thoja që është një diferencë e madhe,” tha ajo.
Kundërshtime pati edhe nga përfaqësuesi i Gjykatës së Lartë. Sipas ti çështja kryesore nuk është zgjedhja e një reference nga ligjvënësi, por mënyra se si formula ndikon konkretisht në pagat e magjistratëve.
“I qëndrojmë parimit që nuk kundërshtohet mundësia që ligjvënësi të zgjedhë një referencë, por problemi qëndron te rezultati konkret i formulës së propozuar. Ne insistojmë në atë që referenca duhet të lidhet me një pagë e cila rritet herë pas here. Sepse kështu do të ruhet niveli i mbrojtjes financiare të magjistratëve.”
Por më i drejtpërdrejtë ishte qëndrimi i Gerd Hoxhës zv/kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe kryetar i Unionit të Gjyqtarëve.
Hoxha kritikoi faktin që drafti, sipas tij, nuk është konsultuar me gjyqtarët dhe paralajmëroi se miratimi i tij mund të sjellë një tjetër përplasje mes pushteteve.
“Është i pakonsultuar me grupin, sepse nuk konsultohet ligji tre ditë para se të kalojë në Parlament. Miratimi i këtij ligji do të sjellë një përplasje tjetër mes dy pushteteve. Ne nuk kemi ekskluzivitetin e të drejtës, por ne po respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.”
Kreu i Unionit të Gjyqtarëve paralajmëroi gjithashtu se, nëse formula miratohet në këtë formë, magjistratët mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, një proces i tillë mund të sjellë edhe pasoja financiare për buxhetin e shtetit.
“Mbi të gjitha, do të sjellë rëndim të buxhetit të shtetit, sepse magjistratët do të shkojnë në Kushtetuese të kërkojnë zbatimin e vendimit dhe gjasat janë, pa bërë profetin, që vendimi do të jetë i njëjtë.”tha Hoxha.
Hoxha kërkoi që drafti të rikthehet për konsultim më të gjerë dhe bëri të ditur se gjyqtarët kanë përgatitur edhe një propozim konkret për zgjidhjen e problematikës.
“Ligji i ri duhet të kthehet, t’i nënshtrohet një konsultimi më të gjerë. Mua më vjen turp se unë jam student i profesor Pandës (Ilir Panda), dhe paga ime është më e lartë se paga e tij, ai është anëtar i Gjykatës së Lartë! Ne kemi gati një material që mund ta rregullojë këtë problem,”tha ai.
Në përfundim, Hoxha u shpreh i gatshëm për dialog me mazhorancën, por nënvizoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet dhe nuk mund të jetë pjesë e një negocimi politik.
Përplasja tashmë pritet të vijojë gjatë shqyrtimit të ndryshimeve ligjore në Kuvend, ndërsa përfaqësuesit e drejtësisë kërkojnë që formula e pagave të rishikohet përpara miratimit përfundimtar./ZËRI