ROSKOVEC- Një plagosje me mjet prerës është regjistruar mbrëmjen e djeshme në fshatin Suk të Roskovecit, pas një konflikti mes dy personave. Autori i dyshuar, 52-vjeçari B. B., i cili sipas burimeve dyshohet se është daja i deputetes Zegjine Çaushi, ka rënë në prangat e policisë.
Sipas njoftimit, ngjarja ka ndodhur 22:30, kur 52-vjeçari i ka shkuar në banesë 67-vjeçarit E.G., ku për motive të dobëta e ka goditur me drapër. Policia bën me dije se 52-vjeçari kishte shkuar në banesën e ish-bashkëjetueses së tij, pavarësisht një urdhri mbrojtjeje të caktuar nga Gjykata ndaj saj.
Pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar nga vendi, por është kapur nga policia rreth 30 minuta më vonë, pranë banesës së tij në fshatin Mbërsh të Roskovecit. Ndërkohë që i plagosuri po merr ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i Policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin B. B., 52 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”.
Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:30, në fshatin Suk, Roskovec, shtetasi B. B., 52 vjeç, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta me shtetasin E. G., 67 vjeç, në banesën e tij, e ka goditur atë me mjet prerës (drapër), në këmbë.
Shtetasi B. B. ka thyer urdhrin e mbrojtjes që i ka caktuar Gjykata, ish-bashkëjetueses së tij (vajza e 67-vjeçarit), duke shkuar në banesën e tyre, ku më pas ka ndodhur konflikti.
Autori i dyshuar i plagosjes, shtetasi B. B., u kap pas 30 minutash, afër banesës së tij, në fshatin Mbërsh, Roskovec.
Shtetasi E. G. po merr ndihmë mjekësore në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./ZËRI