TIRANË- Mbi 41 kilogramë kokainë, të ndarë në 37 pako dhe të fshehura në një kontejner frigoriferik me mish pule të kompanisë 'AMG Food', u kapën një ditë më parë në Portin e Durrësit, ndërsa pas kësaj dërgesë dyshohet se fshihet një emër i njohur i botës së krimit. Bëhet fjalë për Gerd Gjinararin, i njohur si "Gjenerali", i cili është arrestuar në qershor të këtij viti në Belgjikë.
Emri i tij doli në skenë teksa autoritetet belge goditën një grup shqiptar të trafikut të kokainës në Belgjikë. Sipas deklaratës së zëdhënësit të Prokurorisë së Antwerp-it, Kristof Aerts, ngarkesa e sekuestruar në Shqipëri lidhet me hetimin ndaj grupit shqiptar të trafikut të kokainës në Antwerp.
"Kjo mund të rezultojë në arrestime jashtë vendit. Pas ndërhyrjes, një ngarkesë prej 37 kilogramësh kokainë u sekuestrua në Shqipëri, në një kontejner frigoriferik”, tha Kristof Aerts, zëdhënësi i Prokurorisë së Antwerp-it.
Lidhur me këtë rast, 8 persona përfunduan në prangat e autoriteteve, mes tyre edhe një 48-vjeçar, i cili dyshohet se ka shërbyer si ndërmjetës mes grupeve kriminale në Shqipëri dhe Amerikës Latine. Emri i tij ende nuk është bërë i ditur, por një detaj që bie në sy janë komunikimet e tij me Gerd Gjinararin. Ky i fundit ka një të shkuar kriminale që daton që prej vitit 1997.
Ndërkohë, lidhur me rastin e goditur një ditë më parë në Portin e Durrësit, Policia në njoftimin zyrtar njoftoi se lënda narkotike u gjet gjatë një kontrollit në një kontejner me origjinë nga Brazili, i cili, sipas dokumentacionit, transportonte mish pule. Ndërkohë që në kapakët e jashtëm të tij, u konstatuan konstatuan 37 paketime të lëndës narkotike, të veshura me ngjyra të ndryshme.
Për këtë rast deri më tani nuk është raportuar për asnjë arrestim apo procedim penal, ndërsa rezulton se sasia e mishit të pulës nga Brazili, ishte porositur nga subjekti 'AMG Food' në pronësi të biznesmenit Mondi Goxha, i cili zotëron edhe kompaninë 'diMAL'./ZËRI



