DURRËS-Detaje të reja janë zbardhur nga 41 kg kokainë me vlerë 2 milionë euro të cilat u kapën në Portin e Durrësit. Droga u gjet në kontejnerët e kompanisë “AMG Food” që importon produkte të ngrira nga Brazili, kompani e cila ishte në qendër të skandalit me mishin e pulës me salmonelë, ku rreth 15.000 kilogramë u konsumua nga qytetarët.
Policia në njoftimin zyrtar njoftoi se lënda narkotike u gjet gjatë një kontrollit në një kontejner me origjinë nga Brazili, i cili, sipas dokumentacionit, transportonte mish pule. Ndërkohë që në kapakët e jashtëm të tij, u konstatuan konstatuan 37 paketime të lëndës narkotike, të veshura me ngjyra të ndryshme.
Lidhur me rastin dhe ngarkesën e drogës nuk u raportua për asnjë arrestim apo procedim penal, ndërsa rezulton se sasia e mishit të pulës nga Brazili, ishte porositur nga subjekti 'AMG Food' në pronësi të biznesmenit Mondi Goxha, i cili zotëron edhe kompaninë 'diMAL'.
'AMG Food' më 11 mars 2025 importoi nga Brazili gati 8 tonë mish pule të kontaminuar me salmonelë. Më pas do të ishte kompania 'dimal', ajo që do e shpërndante në treg. I kontaktuar nga ZËRI, asokohe pronari i kompanisë Mond Goxha, pranoi se malli me salmonelë ishte i porositur prej tij. Dy vëllezërit Arben Goxha dhe Mondi Goxha u akuzuan për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme, për shëndetin ose jetën e njërzëve“ dhe u hetuan në gjendje të lirë.
Tashmë veç skandalit të mishit, kontejnerët e kompanisë së Goxhës mbanin edhe drogë, ndërsa hetimi do të zbulojë nëse ka apo jo përfshirje në trafik të lëndëve narkotike. Nga ana tjetër mishi nga Brazili është ndaluar të importohet në Shqipëri si dhe në vendet e BE-së, prej 3 shtatorit. Pronarët vëllezërit Goxha nuk janë marrë ende ne pyetje në lidhje me rastin./ZËRI


