
VENECIA- Mbi 80,000 trëndafila, perde nga dyshemeja në tavan, fustane të shtrenjta shoqëruesesh nusesh, shërbim ushqimi që do të kushtojë një mijë euro për person, një shfaqje me dron dhe holograme. Kështu e përshkruajnë mediat italiane dasmën e Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez, madje duke përmendur se eventi do të duket më shumë si një "shfaqje teatrale" sesa një festë.
Dasma pritet të zhvillohet në fund të qershorit, do të zgjasë tre ditë dhe do të ketë mbi 200 të ftuar, përfshirë biznesmenë dhe yje të Hollivudit. Sipas Wall Street Journal, dasma do të kushtojë të paktën 10 milionë dollarë.
"Ata duan që eventi të jetë më i paharrueshëm në jetën e tyre dhe të të gjithë të ftuarve të tyre,"- tha për gazetën, Sarah Haywood, organizatore dasmash me bazë në Londër. Sipas saj, edhe shërbimi i ushqimit do të shkojë përtej çdo standardi. Kuzhinierë të vlerësuar me çmime, stilistë ushqimi dhe artistë koktejlesh do të përcaktojnë menunë. Për t'u siguruar që gjithçka të shkojë mirë, do të ketë një ekip prej të paktën 500 personash që do të jenë të pranishëm në dasmë në çdo kohë. Pavarësisht se është personi i tretë më i pasur në botë, dasma e Jeff Bezos do të duhet të mbetet brenda një buxheti të caktuar.
Festimi do të jetë "intim", me pjesëmarrjen vetëm të familjes dhe miqve të ngushtë. Nusja e ardhshme organizoi një festë beqarie në Paris në mesin e majit për të festuar dasmën e saj. Sipas 'People', Kris Jenner, Eva Longoria, Kim Kardashian dhe Katy Perry ishin të pranishme në festën e beqarisë.
Kush është në listën e të ftuarve në dasmë?
Sipas raportimeve, midis të ftuarve në dasmë do të jenë Ivanka Trump dhe Jared Kushner, Kris Jenner, Kim Kardashian, Katy Perry dhe Orlando Bloom. Mendohet se pjesëmarrës do të jenë edhe Oprah, Bill Gates, Miranda Kerr dhe personazhe të tjerë të famshëm.
Ku do të qëndrojnë të ftuarit?
Sipas Neë York Post, çifti dhe të ftuarit e tyre do të qëndrojnë në Aman Venice dhe Gritti Palace, të cilat kushtojnë rreth 500,000 dollarë për një natë. Kostoja e eventit po rritet nga tarifat e ankorimit për jahtin e çiftit, i cili do të përdoret për "ekskursione, foto dhe aktivitete të tjera"./ZËRI