
TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj ka mbërritur këtë pasdite në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), për t’u pyetur për incidentin në Kuvend me deputetin demokrat Bledjon Nallbati. Për mediat jashtë SPAK, Sinaj tha se ka dëshmuar para hetuesve atë që ndodhi seancën e 30 tetorit.
Vullnet Sinaj: Tregova atë që ndodhi.
Pyetjes se a do të bëjë ekspertizën mjeko-ligjore siç e kërkon SPAK për të vërtetuar nëse ka dëmtime që mund të kategorizohen për tu hetuar, Sinaj e bëri të qartë se nuk do të pranonte.
Vullnet Sinaj: Nuk do të bëj ekspertizë mjeko-ligjore se nuk e ndjej të nevojshme. Gjithkça është në kamerat e Kuvendit.
Ndërkohë Bledjon Nallbati do të paraqitet në SPAK gjatë ditës së hënë. Për të dy janë dorëzuar kallëzime nga PS dhe PD, ndërkohë që një ditë më parë, Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion vendosi t’i bashkojë në një këto kallëzime.
Veprimet hetimore do të vërtetojnë se cili deputet goditi dhe nga kush u godit, por edhe nëse mund të konsiderohet "goditje për shkak të detyrës". Incidenti ndodhi të hënën, pasi deputetët e opozitës penguan vijimin e rendit të ditës në Kuvend dhe krijuan tensione.
Për shkak të incidentit, deputeti demokrat Bledjon Nallbati është përjashtuar me dhjetë ditë nga punimet e Kuvendit. Kjo ngjarje ishte dhe si pikënisje e radikalizimit të aksionit opozitar në Kuvend nga opozita, e cila që pas përjashtimit të Nallbatit, dhe disa kolegëve të tij demokratë ka bllokuar seancat plenare dhe komisionet parlamentare./Zëri.ai