Politikë

Historia e grushteve në Kuvend

Por derisa SPAK të shprehet nëse është apo jo kompetencë e saj që të hetojë rastet e dhunës në Kuvend, Zëri.ai ju sjell një përmbledhje të incidenteve fizike më të bujshme që kanë ndodhur në sallën e parlamentit.

Elsa Kallanxhiu
Historia e grushteve në Kuvend
Pamje nga sherret e bujshme ne Kuvend

TIRANË- Grushtet mes deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë nuk përbëjnë një vepër penale! Kështu është shprehur Gjykata e Lartë në një vendim të dhënë në vitin 2015, pas një përplasje fizike mes deputetëve Arben Noka, Armando Prenga dhe Gent Strazimiri në korridorin e Kuvendit të Shqipërisë.  Në argumentimin e Gjykatës së Lartë thuhej se konflikte të tilla, ku cënohej dhe siguria fizike e vetë deputetëve duhet që të zgjidheshin me masa administrative nga Kuvendi, dhe nuk përbënin një vepër të mirëfilltë penale, edhe pse e njëjta gjykatë në të njëjtën kohë do të dënonte dy deputetët opozitarë Arben Ristani dhe Edi Paloka për shpifje.

Dy deputetët e Partisë Demokratike u dënuan nga Gjykata e Lartë për shpifje në drejtim të kryeministrit Edi Rama. Tashmë 8 vite më pas, historia e grushteve përsëritet sërish në Kuvendin e Shqipërisë, me ndryshimin se çështja do të hetohet nga SPAK, organ i drejtësisë së re në vendin tonë. Ka dy kallëzime penale të depozituara në Prokurorinë e Posaçme, sa i takon konflikteve të dhunshme që ndodhën mes deputetëve në seancën e datës 30 Tetor. Në njërën anë Partia Socialiste ka çuar në SPAK deputetin opozitar Bledion Nallbati, i cili goditi me grusht kolegun e tij socialist Vullnet Sinaj, dhe në anën tjetër opozita ka çuar në SPAK një tjetër kallëzim. Për vetë Sinajn.

Por derisa SPAK të shprehet nëse është apo jo kompetencë e saj që të hetojë rastet e dhunës në Kuvend, Zëri.ai ju sjell një përmbledhje të incidenteve fizike më të bujshme që kanë ndodhur në sallën e parlamentit.

Konflikti Azem Hajdari- Gafurr Mazreku, viti 1997

Përplasja e parë fizike në Kuvendin e Shqipërisë daton në vitin 1997, ku pas një sherri fizik me grushta në foltoren e Kuvendit, u përdorën disa ditë më pas dhe armët. Fillimisht në datën 16 Shtator 1997, Hajdari do të godiste me grusht Mazrekun, pas një konflikti për radhën e fjalës në foltore, ndërsa më pas Mazreku do të hakmerrej duke shkrehur armën në drejtim të Hajdarit. Plagosja ndodhi në ambientet e kafes së Kuvendit. Për pajtimin e tyre dhe sheshimin e gjakrave do të negocionte Kadri Morina, ish-nxënës i Gafurrit dhe mik gjaku i Azem Hajdarit, në mënyrë që seria e hakmarrjes së mos vijonte mes familjeve. Gafur Mazreku u dënua 12 vite për këtë plagosje por amnistia dhe sjellja e mirë bëri që të dalë nga burgu në vitin 2001, rreth 4 vite pas plagosjes së Hajdarit. Mazreku ndërroi jetë në vitin 2005 pas një ataku kardiak.

Ilir Meta hedh vazo drejt kryeparlamentares së kohës Jozefina Topalli, viti 2006

Ishte data 28 Korrik e vitit 2006, kur një konflikt i dhunshëm ndodhi në sallën e Kuvendit, që asokohe drejtohej nga gruaja që cilësohet e ‘hekurt’ Jozefina Topalli. Ka qenë fillimisht deputeti Ngre Legisi ai që debatoi ashpër për zgjedhjen e një prej anëtarëve të KQZ-së, të cilit më pas i erdhën në ndihmë dhe deputetët Tom Doshi dhe Ilir Meta. Ky i fundit hipi mbi tavolina dhe rrëzoi vazo, në mënyrë që të arrinte në vendin ku qëndronte Topalli. Garda që qëndron edhe sot e kësaj dite në sallë, ishte e gatshme që të mbronte kryetaren e Kuvendit. Sot Meta e Topalli janë të dy në të njëjtën anë, atë të ish-pushtetarëve që e shohin veten në opozitë.

Tom Doshi përplaset me Gent Strazimirin, Maj 2010

Tom Doshi padyshim ka qenë protagonist disa herë në Kuvend mes debateve të forta që ka zhvilluar me kolegët e tij të PD-së, e një prej tyre Gent Strazimiri. Strazimiri mori fjalën në Kuvend, nga ku deklaroi se nuk e dinte nëse opozita do të vinte të qëndronte në Kuvend pasi, sipas tij, ata urdhërohen me sms, të cilat më pas u shkojnë edhe familjarëve. Këto fjalë të deputetit të PD-së shkaktuan reagimin e ashpër të deputetëve Tom Doshi e Erjon Braçe, të cilët iu drejtuan me të bërtitur deputetit të PD-së, duke i kërkuar atij që të mos përmendë familjarët. Deputeti i PD-së, Doshi, iu afrua podiumit ku Strazimiri po mbante fjalën, por punonjësit e Gardës së Republikës nuk lejuan konfrontimin e tyre fizik, pasi u tentua të goditeshin me grushte, një situatë që deputeti Doshi u dënua me 2 javë pezullim nga punimet e Kuvendit. Të dy deputetët i lëshuan sfidë njëri-tjetrit, duke e ftuar të dalë jashtë salle për t'u konfrontuar fizikisht.

Shkurt 2011, deputetët e PS Paulin Sterkaj dhe Armando Prenga godasin me grushte Edi Palokën

Asokohe në opozitë, deputetët Paulin Sterkaj dhe Armando Prenga kanë goditur me grushte Palokën, teksa ky i fundit ishte duke mbajtur fjalën në foltoren e Kuvendit. Opozita ishte duke goditur gjatë gjithë kohës tavolinat, në mënyrë që Paloka mos të vijonte fjalën e tij, ndërsa Prenga u nis nga mesi i ulëseve për ta qëlluar deputetin demokrat me grusht.

Korrik 2014, Arben Noka dhe Armando Prenga rrahin Gent Strazimirin

Konflikti ndodhi në korridoret e Kuvendit, menjëherë pasi Gent Strazimiri kishte mbajtur fjalën e tij në Kuvend, dhe kishte hedhur akuza se në sallë ndodheshin persona me rekorde kriminale, duke iu referuar pikërisht ligjvënësve socialistë. Menjëherë pas fjalës së tij, Strazimiri ka dalë nga salla plenare në ambientet e një korridori të brendshëm, ku fillimisht është goditur me grushte dy herë në fytyrë nga deputeti Arben Ndoka. Pak çaste më vonë, ai është goditur me shpullë në pjesën e pasme të kokës edhe nga deputeti Pjerin Ndreu. Pavarësisht se prokuroria asokohe kishte kërkuar dënimin e deputetëve me burg, Gjykata e Lartë konkludoi se konfliket fizike mes deputetëve nuk përbënin vepër penale.

Gent Strazimiri goditet dhe me rrip, 2014

Në vijën e të njëjtave përplasje, deputeti i PD-së Gent Strazimiri, është konfliktuar sërish me deputetët Armando Prenga dhe Xhemal Qefalia.

Deputeti demokrat Gent Strazimiri dhe ai socialist Xhemal Qefalia janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin në derën e tualetit të Kryesisë së Kuvendit teksa në sallën e komisionit të Ligjeve raportonte ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli. 

Për të shuar sherrin, por që në fakt e ka ndezur më keq, socialisti Armando Prenga ka përfunduar duke rrahur me rripin e tij të pantallonave Strazimirin, të cilin mësohet se e ka shtrirë në tokë.

Bledion Nallbati-Vullnet Sinaj 2023 

E tashmë rreth 9 vite më pas, opozita shfaqet në Kuvend në të njëjtën formë, duke përdorur të gjitha mjetet që sipas tyre shërbejnë për të rikthyer në vend parlamentarizmin. Pas ngujimit, zaptimit të karrigeve, mbylljes së mikrofonave e marrjes së kartave të kolegëve të tyre, deputetët e opozitës që drejtohet nga Berisha u përplasën edhe fizikisht në Kuvend. Bledion Nallbati qëlloi me grusht deputetin Vullnet Sinaj, e tashmë të dy do të përballen në SPAK. Edhe në seancën e së enjtes, 2 Tetor, pati shtyrje me duar mes deputetëve të opozitës dhe socialistit Xhemal Qefalia, ndërkohë që prokurorët e SPAK mbërritën në sallë për të mbledhur çdo provë, edhe flakadanët e lëshuar nga opozitari Ervin Salianji.

Në retrospektivën në vite, shihet se konfliktet në shumicën e herëve nxiten nga opozita, pavarësisht kohës dhe ndryshimit të ngjyrave. Pikënisja duket të jetë e njëjtë, ajo për radhën se kush do të flasë përpara në Foltoren e Kuvendit, e cila më shumë sesa një zë për shqetësimin e qytetarëve, është bërë një arenë për të shprehur hallet personale të politikanëve shqiptarë. Tashmë do të jetë radha e SPAK, nëse do e klasifikojë apo jo si vepër penale ‘grushtin e thatë’ të Nallbatit, për të cilin vetë Sinaj ka deklaruar se e priti pa arritur që ta godiste apo ti shkaktonte dëm fizik./Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB