
TIRANË- Seanca për statutin e PD-së që ishte duke u mbajtur në Gjykatën e Tiranës, është shtyrë, pasi përfaqësuesi i Lulzim Bashës, Indrit Sefa ka kërkuar ndryshimin e gjyqtarit të çështjes. Seanca e radhës do të mbahet në datën 13 Nëntor. Përfaqësuesit e Bashës kanë kërkuar një dokumentacion më të plotë nga pala e Berishës dhe Bardhit, ndërsa këta të fundit e konsideruan të turpshme zvarritjen që po i bëhet këtij procesi.
Përfaqësuesit e Bashës kërkuan ndryshimin e gjyqtarit Niko Rrapi, pasi sipas Sefës ai ka treguar se është bërë palë në këtë proces, duke e etiketuar si të njëanshëm.
Sefa kishte kërkuar në seancën e kaluar që në Gjykatë të shfaqej një mbledhje e Këshillit Kombëtar, e thirrur nga Bardhi që anulonte mbajtjen e Kuvendit të 2 Shtatorit nga Lulzim Basha. Sipas këtij të fundit mbledhja e thirrur online nga Bardhi në fakt nuk është realizuar.
Sefa tha para mediave se gjykata nuk pranoi ta kërkonte këtë dokument, ndaj në seancën e sotme ata kanë kërkuar përjashtimin e gjykatësit Niko Rapi duke theksuar se po tregohet i anshëm në këtë proces.
“Sot kemi kërkuar dokumentacionin në lidhje me zhvillimin e këshillit kombëtar imagjinar dhe online. Ne nuk kemi kërkuar asgjë tjetër, duam dokumentacionin e paraqitur dhe të presupozuar që ekziston. Asgjë më shumë. Ne duam që palët që janë në proces të vërtetojnë se ky Këshill Kombëtar imagjinar, është zhvilluar apo jo.
Gjykata vendosi që në një mënyrë absurde, që këtë dokumentacion të mos e kërkojë. Për këtë arsye në kërkuam përjashtimin e gjyqtares së çështjes për njëanshmëri në procesin civil. Në këtë moment do të paraqesim edhe kërkesën për përjashtim, bashkë me provat.
Në ditët në vijim do shikojmë kujt gjykatë tjetër do i lihet kjo çështje për të shqyrtuar kërkesën tonë. Është absurde të vish në një proces gjyqësor e të mos paraqesësh dokumentacionin e kërkuar në shqyrtimin e kësaj çështje. Ne kemi dyshime të arsyeshme se ajo mbledhje nuk është bërë kurrë”, tha Indrit Sefa.
Nga ana tjetër përfaqësuesi i Rithemelimit, Marash Logu, tha se e gjitha kjo zvarritje që po i bëhet procesit i shërben vetëm dobësimit të opozitës. Sipas Logut, në momentin kur gjykata ishte duke vendosur në favor të tyre, përfaqësuesit e Bashës vendosën që të kërkonin përjashtimin e gjyqtarit, sipas tij pa asnjë bazë ligjore.
“Ajo që ju patë sot është vazhdimi i lojës së turpshme për të zvarritur statusin ligjor të PD, duke i shërbyer dobësimit të opozitës që i intereson vetëm Edi Ramës. Shohim se përfaqësuesit e zotit Basha kërkojën shtyrjen me procedurë të këtij procesi. Ne kemi qenë të qartë se nuk ka gjykatë dhe gjyqtar në Shqipëri që mund të legjitimojë si të ligjshme vendimet e Kuvendit të datës 2 Shtator 2023 (i mbajtur nga Basha). Ju jeni dëshmitarë, se kur Gjykata do të shprehej për kërkesën tonë, ata kërkuan përjashtimin e gjyqtarit për ta zvarritur statusin ligjor të PD-së”, u shpreh Logu përpara gazetarëve./Zëri.ai