
TIRANË- Pas 3 ditësh seanca maratonë, Gjykata e Posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit konfirmoi dje masën e sigurisë së detyrimit të paraqitjes për ish-kryeministrin Sali Berisha, si dhe ndalimin e tij për të dalë jashtë vendit.
Ishte gjyqtarja Irena Gjoka, ajo që shqyrtoi kërkimet e prokurorëve Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai si dhe parashtrimet e avokates Valentina Todoresku (e caktuar kryesisht, e katërta në radhë), dhe më pas vendosi të lërë në fuqi masën e detyrimit për t'u paraqitur në policinë gjyqësore për liderin e demokratëve.
Gjykata e urdhëron Berishën që të paraqitet dy herë në muaj (të hënën e parë dhe të tretë të muajit) para oficeres së policisë gjyqësore, Adelajda Metaj, pranë SPAK. Po ashtu, Berisha urdhërohet që të mos largohet nga Shqipëria pa autorizimin e gjykatës, si dhe i ndalohet përdorimi i pasaportës dhe i dokumenteve të tjera identifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit.
Mirëpo i ftuar në studion e Opinion mbrëmjen e djeshme, Berisha tha se nuk e njeh vendimin e GJKKO të cilën e konsideron antikushtetues. Ai vijoi akuzat në drejtim të prokurores Millonai, për të cilën tha se është e vendosur në shërbim të Taulant Ballës.
Sali Berisha: Jam i gatshëm të paraqitem para çdo institucioni akuze në çdo kohë pa hezitim, pavarësisht se çfarë konsiderate ke për personin që do të marrë në pyetje, nuk duhet të refuzohet. Çfarë ndodh, një gjykatëse merr për sipër të shkruaj në tryezën e saj Kushtetutën. Akti miq i rënë që mund të bëjë një prokuror apo gjykatës. Ka shkelur të drejtën e konventës së njeriut, për lirinë e lëvizjes. Kushtetuta, unë jam autor për heqjen e mbojtjes së deputetëve, e rrëzoi Edi Rama me argumentin se na arreston Sali Berisha. I them sot Edi Ramës sot, bëhu burrë dhe hajde ta votojmë. Kjo është një formë arrestimi me detyrim paraqitje. Unë nuk do të paraqitem, absolutisht jo.
Ndërkohë po dje në një seancë paralele, GJKKO shqyrtoi dhe rrëzoi kërkesën e Berishës për përjashtimin nga çështja të gjyqtares Irena Gjoka. Ishte kolegia e saj Flora Haradinaj, e cila e konsideroi si të pabazuar dhe të padrejtë kërkesën e Berishës, e madje e gjobiti atë me 5 mijë lekë të rinj.
SPAK e akuzon Berishën se ndërmori ndryshime ligjore dhe vendime të Këshillit të Ministrave për të favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi në marrjen e pronës që i hapi rrugën ndërtimit të një kompleksi prej 17 pallatesh në zonën ku më parë ndodhej klubi sportive “Partizani”. Për këtë ndaj tij është ngritur akuza e korrupsionit, ndërsa për Malltezin është shtuar dhe ajo për pastrimin e parave. Për dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha u konfirmua të hënën masa e sigurisë së arrestit me burg. /Zëri.ai