TIRANË- Kryeministri Edi Rama, gjatë një interviste në podcastin “Flasim”, u shpreh se qeveria ka bërë shumë në periudhën e fundit, por ka komunikuar dhe dëgjuar më pak qytetarët. Sipas kryeministrit "Besa", një përpjekje për ta çuar këtë marrëdhënie në një stad të ri, që do të krijojë përgjegjësi dhe llogaridhënie. Rama deklaroi gjithashtu se “Pasqyra” do të kthehet në ligj, duke synuar që mekanizmi i ri të ketë një bazë të qartë ligjore.
View this post on Instagram
“Nuk është problem komunikimi. Jemi një qeveri që në periudhën e fundit kemi bërë shumë gjëra, por kemi dëgjuar pak, s’kemi komunikuar shumë. ‘Besa’ është një përpjekje që kjo marrëdhënie të hyjë në një stad të ri. Është i gjithi një sistem që do kërkojë kohën e vet, por do ngrihet hap pas hapi, duke krijuar gjurmueshmëri do krijojë përgjegjësi. Përgjegjësi të identifikueshme dhe llogaridhënie konkrete.
Nëse ke bërë këtë kërkesë dhe ankesë dhe s’ke marrë përgjigje, në atë ekranin e madh të problemeve inteligjenca artificiale do bëjë që institucioni përgjegjës për mos përgjigjen të lajmërohet dhe ai që është përgjegjës drejtpërdrejt në zyrë të japë llogari. ‘Pasqyrën’ ne do ta bëjmë ligj. Kemi një ligj për bashkëqeverisjen, bashkëqeverisja ka funksionuar për pjesën që kishte, por tani kemi kapacitetin e AI-së mund ta ngremë në një nivel komplet tjetër”, tha Rama.
Në mbledhjen e 24 korrikut, Rama prezantoi dokumentin politik të quajtur “Besa”, i cili sipas tij, synon të nxisë reflektim brenda Partisë Socialiste pas protestave të fundit.
Rama prezantoi në Pogradec “Pasqyrë Albania”, një platformë të re për komunikimin me qytetarët dhe zgjidhjen e problematikave të tyre. Platforma do të funksionojë përmes dy sektorëve: “Flamingo Albania”, që do të mbledhë dhe adresojë ankesat e pazgjidhura te institucionet përkatëse, dhe “Radar”, që do t’u mundësojë qytetarëve të ndjekin në kohë reale ecurinë e ankesës. Synimi është që problemet që qytetarët kanë të zgjidhen brenda dy javësh./ZËRI

