TIRANË- Kryeministri i vendi Edi Rama ka folur ne podcatin "Flasim" në një intervistë nga gazetarja Rudina Xhunga, për fëmijërinë dhe dy episodet e dhunës fizike që sipas tij ka përjetuar gjatë jetës. Kryeministri gjithashtu është pyetur edhe për aludimet se ka qenë i bullizuar gjatë fëmijërisë. Por ai e ka mohuar këtë pjesë duke e përshkruar veten si një fëmijë rebel, por jo si viktimë të bullizmit. Në vijim, ai ka treguar dy raste konkrete kur është dhunuar, njëri i lidhur me një ndeshje basketbolli dhe tjetri me një sulm të ndodhur në janar të vitit 1997.
“Kam qenë rebel, thyeja thuajse çdo kufi, por i bullizuar asnjëherë. Kam në jetën time dy rrahje, ku nuk kam rrahur, por më kanë rrahur,” është shprehur kryeministi i vendit Rama.
Sipas Ramës, rasti i parë ka ndodhur pas një ndeshjeje të Partizanit me Apoloninë, ku ai ishte përfshirë në tensionin e krijuar gjatë takimit.
“Ishte një ndeshje e tensionuar dhe duke qenë se unë si lojtar isha nganjëherë dhe provokator, provokimet dhe kundërprovokimet dhe tensionin në fushë e pagova me një rrethim nga ca çuna që me shpejtësi pabesisht dhe mora disa goditje dhe mbeta përtokë në dysheme,” thote ai.
Rama është ndalur më gjatë te episodi i dytë, sulmi që, sipas tij, ka ndodhur në janar të vitit 1997. Ai ka deklaruar se iu bë një pritë pranë hyrjes së banesës dhe se pas dhunës së ushtruar ndaj tij, mjekët në Shqipëri dhe më pas në Francë e kishin vlerësuar gjendjen si serioze.
“Tjetra është rrahja që dihet botërisht e janarit 97, kur më bënë pritë te rruga që futej për të hyrë te shtëpia dhe më lanë duke menduar se isha i asaj bote. Ky ishte dhe opinioni i mjekut këtu dhe atij në Francë,” ka deklauar kryeministri.
Kryeministri ka treguar gjithashtu se, sipas mjekëve, fakti që ishte më i gjatë dhe forma e tij fizike mund të kenë ndikuar në mbijetesën e tij pas sulmit.
“Më kishte shpëtuar lartësia, sepse goditjet gjithsesi janë disi më pak efektive kur je më lart sesa ai që të agreson. Edhe sporti, fiziku im,”thotë Rama.
Gjatë intervistës, Rama është pyetur edhe për deklaratat e Sali Berishës lidhur me rrethanat e sulmit të vitit 1997. Kryeministri i ka mohuar aludimet se në momentin e dhunimit ka qenë me një burrë, duke dhënë versionin e tij për atë që kishte ndodhur.
“Rioprodhohen nga një gojë e shthurur që nuk dua të merrem, merrem vetëm kur ma imponon fushata. Tani është përtej çdo kufiri moshor që mund të thuash neglizhohet,” shkoj kryeministri.
Rama ka sqaruar se në momentin e sulmit ndodhej në apartament me një vajzë me të cilën bashkëjetonte dhe një mik nga Shkodra.
Në fund, Kryeministri ka folur edhe për personat që, sipas tij, kanë qenë përgjegjës për dhunën e ushtruar ndaj tij, duke thënë se njëri prej tyre më vonë është penduar.
“Njëri nga ata është plotësisht i njohur për mua, njëri është penduar, tani ka ndërruar jetë, tjetri nuk e ka pranuar dhe as e kam pyetur, por është penduar në një mënyrë tjetër duke treguar miqësi,” tha Edi Rama./ZËRI