TIRANE- Ervin Demo është akademik shqiptar me një karrierë menaxheriale, administrative, pushtet lokal dhe politikan i angazhuar me mazhorancën socialiste. Ai ka lindur në Berat në vitin 1982, sot 44 vjeç. Formimi i tij profesional është kryesisht në fushën e menaxhimit, administrimit dhe arsimit të lartë, ndërsa gjatë viteve ka kaluar nga akademia në nivele të ndryshme të administratës publike dhe më pas në politikë.
Demo ka kryer studimet Bachelor dhe Master në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa më pas ka ndjekur studime postdoktorale në Universitetin e Bolonjës, me fokus te menaxhimi dhe zhvillimi akademik.
Karriera e tij akademike është e lidhur ngushtë me Universitetin e Tiranës. Që prej vitit 2004 ka qenë pedagog me kohë të plotë në Departamentin e Menaxhimit, në Fakultetin e Ekonomisë. Nga 2012 deri në 2016 ka mbajtur postin e zëvendësrektorit të Universitetit të Tiranës.
Në vitin 2017, Demo u emërua zëvendësministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, detyrë që e mbajti deri në fund të vitit 2018. Në 30 qershor 2019, Ervin Demo u zgjodh kryetar i Bashkisë Berat. Më pas fitoi edhe një mandat të dytë, duke drejtuar bashkinë deri në vitin 2025.
Gjatë drejtimit të Beratit, profili i tij publik u lidh veçanërisht me:
zhvillimin urban;
përmirësimin e shërbimeve publike;
turizmin;
administrimin vendor;
transparencën dhe pjesëmarrjen qytetare;
projektet e zhvillimit të qytetit.
Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, Demo u bë deputet i qarkut Berat dhe në shtator 2025 u emërua Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor në qeverinë Rama. Nga kjo e premte, 11 shtator 2026, Ervin Demo është përzgjedhur për të marrë drejtimin e Ministrisë së Brendshme, duke zëvendësuar Besfort Lamallarin.
Siguria dhe Rendi
Z. Demo, prej më shumë se një dekade në politikë, nuk është përfolur një herë të vetme apo denoncuar nga kundërshtarët politikë apo media për lidhje me krimin e organizuar, nënshtrim të tij apo afera korruptive.
Ligji për policinë e shtetit përcakton qartë se roli i ministrit është menaxherial. Siguria dhe Rendi, në varësi të tij, janë kompetencë e Policisë së Shtetit, e cila është strukturë apolitike dhe e pavarur. Demo, po ashtu, nuk është një lobim i grupeve të interesit apo klaneve, qoftë edhe brenda mazhorancës socialiste. Karriera e tij, e nisur nga auditorët deri në dikasterin e forcës, rezulton të jetë prova e tij nëse me forcën e shembullit do të arrijë një sukses. Ministria e Brendshme dhe Ministrat e Brendshëm shpesh janë figura qendrore politike nga të dyja kampet, qoftë nga Mazhoranca aktuale apo Opozita sot./ZËRI