TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Administrative, e cila zhbllokoi pagat e GJKKO-në dhe Gjykatën e Durrësit. Përmes një postimi në "X", Rama ka kritikuar vendimin, duke e cilësuar si një veprim në interesin e vetë gjykatës.
Sipas Ramës, gjykata ka vepruar me shpejtësi "skëterrë" për interes vetjak, krahasur me dosjet e qytetarëve që presin prej kohësh. Rama thotë se gjykata ka ndërhyrë në kompetencat e pushtetit legjislativ, duke shtuar se hapja e fondeve nga Thesari i Shtetit duhet të bëhet përmes Kuvendit.
Në përfundim, kreu i qeverisë thekson se çështja do të shqyrtohet nga deputetët më 17 shtator, në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Sikur Gjykata Administrative të kishte standard për çdo qytetar apo institucion në hall, shpejtësinë e skëterrës me të cilën paska vepruar sot për të hapur dyert e thesarit për rritjen e rrogave të veta pa miratimin e parlamentit, unë besoj se çdo shqiptar i punësuar do ishte gati t’ia falte një gjysëm rroge gjykatësve…
Por të marrësh sa hap e mbyll sytë masën e parë të sigurisë në historinë e botës, jo për të ndaluar po për të nxitur për interesin vetjak ekzekutimin e një akti që me gjasë cënon ligjin dhe interesin publik, ndërkohë që mijëra e mijëra dosje hallesh presin me vite në sirtarët e gjykatës në fjalë, kjo është diçka tejet turbulluese!
Ja edhe në tabelën bashkëngjitur çfarë kërkon Gjykata Administrative në dyert e thesarit të shtetit pa kaluar fare nga parlamenti, ndërkohë që e përsëris: Dyert e thesarit të shtetit i hap vetëm pushteti i pavarur legjislativ dhe Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë detyrën e tij për këtë temë, në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ditën e enjte 17 shtator”, shkruan Rama.
Këtë të premte, Gjykata Administrative vendosi zhbllokimin e pagave për gjyqtarët e GJKKO-së dhe Gjykatës së Durrësit. Zhbllokimi i pagave përmes pranimit të kërkesës për sigurimin e padisë përbën një zgjidhje provizore, pasi nuk e mbyll çështjen në themel, ndërkohë që padia vijon të shqyrtohet nga Gjykata Administrative.
Megjithatë, vendimi i Gjykatës Administrative nuk shtrihet në të gjitha institucionet e sistemit të drejtësisë, pasi urdhri ka efekt vetëm për Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë. Ndërkohë, vendimi i Administratives vjen në një kohë kur gjykatat në vend ndodhen përballë një ngërçi lidhur me fondet dhe pagesat./ZËRI
