DURRËS- Janë zhbllokuar fondet për pagat e punonjësve në Gjykatën e Durrësit dhe në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë (GJKKO), pasi Gjykata Administrative ka pranuar kërkesën për sigurimin e padisë.
Kërkesa për zhbllokimin e fondeve është bërë edhe nga Gjykata e Lartë, ndërsa edhe gjykata të tjera në të gjithë vendin po ndjekin të njëjtën rrugë ligjore.
Zhbllokimi i pagave përmes pranimit të kërkesës për sigurimin e padisë përbën një zgjidhje provizore, pasi nuk e mbyll çështjen në themel, ndërkohë që padia vijon të shqyrtohet nga Gjykata Administrative.
Megjithatë, vendimi i Gjykatës Administrative nuk shtrihet në të gjitha institucionet e sistemit të drejtësisë, pasi urdhri ka efekt vetëm për Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë.
Ndërkohë, vendimi i Administratives vjen në një kohë kur gjykatat në vend ndodhen përballë një ngërçi lidhur me fondet dhe pagesat.
Pse u krijua ngërçi me pagat në drejtësi?
Kjo situatë u krijua pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit 31 korrik, formulën e re të pagave të magjistratëve, pas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese. Pas kalimit dhe afatit dhe në mungesë të një zgjidhjeje ligjore, KLGJ dhe KLP përcaktuan një pagë të re referuese prej 222 mijë e 425 lekësh, nga 156 mijë e 800 lekë, plus shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit. KLGJ dhe KLP argumentuan se ishin të detyruara të zbatonin vetë vendimin e Kushtetueses dhe përcaktuan pagën referuese.
Nga ana tjetër, Ministria e Financave nuk ekzekutoi listëpagesat e përllogaritura me rritjen, duke argumentuar se përcaktimi i formulës së pagave është kompetencë e Kuvendit. Në një reagim zyrtar, Ministria e Financave kërkoi që të ridërgoheshin listëpagesat sipas metodologjisë së mëparshme. Sakaq, për pasojë, pagat e gushtit nuk janë ekzekutuar për gjyqtarë, prokurorë dhe një pjesë të administratës së gjykatave e prokurorive./ZËRI