TIRANË-Qeveria ka reaguar sërsih pas publikimit të një audiopërgjimi nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili ngriti akuza për një skemë të trafikut ndërkombëtar të armëve, ku përfshihet Shqipëria. Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Eriona Ismaili, ka refuzuar të komentojë përmbajtjen e audiopërgjimit, por iu drejtua vetë Ahmetajt. Ismaili i ka bërë thirrje ish-zëvendëskryeministrit që të kthehet në Shqipëri dhe të përballet me drejtësinë.
Eriona Ismaili: Më vjen ndot të jap përgjigje për deklarimet të të arratisurve nga drejtësia e Republikës së Shqipërisë. Është një kërkesë që dua t’ia bëj në mënyrë direkte personit që ka nxjerrë këto përgjime, sikurse ka guximin që të hedhë llum mbi projekte të qeverisë shqiptare, të gjejë guximin dhe të vijë të përballet me drejtësinë shqiptare. Më vjen dot të jap përgjigje të deklaratave të bëra publike nga njerëz që janë zhdukur në llumin e tyre.
Edhe në një reagim më herët, qeveria i quajti thashetheme deklaratat e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.
Çfarë deklaroi Arben Ahmetaj
“Është vetëshpjeguese. Jemi duke folur për trafik ndërkombëtar armësh. Dhe jo në kuadër të marrëveshjes, në sytë e NATO-s, që ka Shqipëria me Ukrainën. Jo. Jemi duke folur për trafik armësh nga vendet e Afrikës, që do paketohen në Shqipëri, ose që paketohen në Shqipëri, dhe që pastaj marrin rrugën... Jemi duke folur për trafik të pastër armësh”, deklaroi Ahmetaj.
Bëhet fjalë për një material përgjimi rreth 3 orë në Monako, ku amerikano-izraeliti, Ron Yeffet është një prej personave kryesorë të përmendur. Në biseda, sipas materialit të publikuar nga Ahmetaj, Yeffet komunikon me persona të tjerë për kompani, tenderë, pajisje ushtarake. Gjithashtu, sipas Ahmetaj, bisedat tregojnë marrëdhëniet me institucionet shqiptare dhe ato të vendeve të tjera dhe rolin që kanë pasur.
Në një prej sekuencave të publikuara, Ahmetaj ka veçuar një bisedë ku, sipas tij, diskutohet mënyra se si mund të anashkalohen garat dhe procedurat e tenderimit përmes krijimit të kompanive të tipit KAYO në Shqipëri.
