TIRANË-Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka reaguar pas kallëzimit penal të depozituar në SPAK nga Shoqatat e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, lidhur me mosekzekutimin e pagave të muajit gusht për magjistratët. Malaj deklaron se ka vepruar në përputhje me ligjin dhe arsyeja e bllokimit lidhet me faktin se Ministria e Financave ka refuzuar të ekzekutojë shtesat e kërkuara të pagave pa një vendim të ri të Parlamentit.
Malaj shprehet se askush nuk do të pengojë adresimin e çështjes së pagave sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por çështja do të adresohet më 17 shtator në Kuvend, kur parashikohet miratimi i ligjit që do t’i japë Ministrisë së Financave kompetencat administrative për veprimin në këtë drejtim. Në reagimin e tij Ministri i Financave ka listuar edhe shifrat e pagave që kërkohen nga magjistratët. Malaj njofton se efekti total në buxhetin e shtetit me kërkesat e gjyqtarëve është 40 milionë euro shtesë, çdo vit.
Petrit Malaj: Të kallëzohesh sepse po zbaton ligjin, nga garantët e barazisë para ligjit! Sot, në Ministrinë e Financave u depozitua një kallëzim penal për mua si titullar i institucionit, Sekretarin e Përgjithshëm dhe drejtorët e thesarit në të gjithë Shqipërinë.
Arsyeja: Kemi refuzuar të hapim dyert e thesarit të shtetit për të nxjerrë që aty pa vendim të Parlamentit një volum të konsiderueshëm parash, si shtesë rroge për gjyqtarët dhe prokurorët.
Nuk dua të bëj asnjë polemikë me askënd dhe as të risqaroj pozicionin e Ministrisë së Financave, ndërkohë që është thënë publikisht nga qeveria shqiptare dhe përfaqësuesit e Parlamentit, se askush nuk do të pengojë adresimin e çështjes së pagave sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të ndodhë më 17 shtator, kur të miratohet ligji që i jep Ministrisë së Financave të drejtën administrative të veprimit.
Por, kjo nuk i ka penguar përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor që të përshkallëzojnë konfliktin me ekzekutivin duke nënshkruar një kallëzim penal që do ta marrë me siguri historia.
Ndërkohë unë sot dua t’u bëj me dije qytetarëve sa kushton kërkesa e kallzuesve të nderuar, sipas shkallës së pagave:
Gjyqtar i Shkallës së Parë
Është: 376,381 Lekë
Kërkohet: 567,421 Lekë
Gjyqtar i Shkallës së Dytë
Është: 388,927 Lekë
Kërkohet: 586,335 Lekë
Gjyqtar i GJKKO
Është: 401,473 Lekë
Kërkohet: 605,350 Lekë
Gjyqtar i Grupit të III në GJKKO
Është: 659,920 Lekë
Kërkohet: 994,877 Lekë
Efekti total në buxhetin e shtetit me këto kërkesa është 40 milionë euro shtesë, çdo vit. Por nuk mbyllet këtu. Magjistratët kërkojnë rishikim të pagave për periudhën 2023-2026 me një efekt në buxhetin e shtetit 125 milionë euro.
Ndërkohë u them drejtorëve të Thesarit në të gjithë Shqipërinë dhe Sekretarit të Përgjithshëm, që sot u kallëzuan së bashku me mua, se duhet të vazhdojnë ta kryejnë detyrën e tyre me qetësi dhe pa u intimiduar, duke ruajtur gjithmonë me rigorozitet financat e shtetit, të udhëhequr nga ligji.
Sot magjistratët kanë kallëzuar ministrin e Financave, Petrit Malaj, Sekretarin e Përgjithshëm Gentian Këri dhe 14 drejtues të Thesarit në rrethe. Kallëzimi është bërë për veprat penale “shpërdorim detyre”, “pengim për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës” dhe “mosekzekutim pa shkaqe të përligjura të vendimit të gjykatës”.
Lëvizja vjen pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë caktuan vetë pagat referuese për magjistratët pas vendimit të Kushtetueses. KLGJ dhe KLP kishin parashikuar zbatimin e saj nga 1 gushti 2026. Megjithatë, pavarësisht përllogaritjeve dhe urdhrave për pagesë, ekzekutimi financiar nuk është kryer për pjesën më të madhe të sistemit të drejtësisë. Shoqata e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve kërkon nga SPAK të hetojë rrethanat e krijuara dhe të identifikojë personin ose personat që kanë marrë, transmetuar apo zbatuar vendimmarrjen që ka sjellë mosdhënien e pagave./ZËRI