TIRANË-Kryeministri Edi Rama prezantoi sot 'Programin e ri Kombëtar të Strehimit', ku njoftoi se janë 6 pika kryesore të cilat pritet të zbatohen në kuadër të reformës “Rilindja 2.0”. Sipas Ramës, programi do të nisë fillimisht në Tiranë, ndërsa po shqyrtohen edhe zona të tjera në bashki të ndryshme.
Kreu i qeverisë njoftoi se programi parashikon 2 mijë kredi me interes 0% për apartamente me vlerë deri në 60 mijë euro, si dhe 2 mijë kredi me interes 3% për apartamente me vlerë mbi 60 mijë euro. Rama shpjegon se platforma kombëtare do të mbulojë vitin e parë 3000 familje me qera të subvencionuar, duke paguar shteti gjysmën e qerasë që arrin deri 400 euro.
Programi i parë lidhet me banesat sociale me qira, ndërsa i dyti do të fokusohet te banesat me kosto të ulët, përmes subvencionimit nga shteti të kredisë, ndërsa pjesë e reformës do të jenë edhe përmirësimi i banesave ekzistuese për grupet vulnerabël dhe ndërhyrjet infrastrukturore në zonat informale.
Ndërkohë programi i tretë fokusohet te përmirësimi i banesave ekzistuese për grupet vulnerabël, investimet në zonat informale dhe përshtatja e banesave për t'i kthyer në banesa sociale. Programi i katërt synon zhvillimin e zonave të reja të strehimit, ndërsa dy të fundit parashikojnë krijimin e banesave të përkohshme për familjet e prekura nga fatkeqësitë natyrore dhe ndërtimin e banesave të përshtatura për familjet me persona me aftësi të kufizuara.
Edi Rama: Ne do të pajisim 4 000 çifte të reja me çelës shtëpie, 4 000 çifte të reja sipas kritereve që do të bëhen të qarta, kuptohet, po këtu nuk hyjnë kreditë e lidhura me administratën, ato janë të tjera. 4 000 çifte të reja të ndarë sipas kategorive. Janë 2 000 kredi me interes zero. Pra, për çdo apartament nën 60 000 euro dhe këtu flasim për apartamente të vogla dhe dua ta theksoj, që gjithë këto politika janë ndërtuar mbi një studim të imët të bërë nga grupi i punës të politikave të strehimit sot në Europë dhe jo vetëm në Europë. Pra, për apartamente të vogla për të nisur jetën me një çelës në dorë, ne do të zerojmë kredinë ndërsa 2 000 kredi të tjera do të jenë me interes vetëm 3 % për apartamente që janë mbi 60.000 euro.
E tha ministrja, ne nuk synojmë thjesht dhe vetëm tanë të zgjerojmë programin e strehimit social. Strehimi social është vetëm një komponent. Pra, strehimi i të pamundurve në aspektin e të ardhurave është vetëm një komponent, por ne sot përballemi me një problem shumë të madh që është botëror, europian. Sa për të dhënë një shembull, pashë një studim të fundit të nxjerrë nga Ministria e Shërbimeve, e Çështjeve Sociale të Suedisë, sot një i ri suedez i cili ka mbaruar universitetin mund të blejë më pak se 2 metra katrorë me kredi, jo nga xhepi. Mbaron universitetin, kapacitet për t’u kredituar, 2 metra katrorë, më pak se 2 metër, 1 metër e diçka të tillë.
Vijmë tek 3 000 të tjera, mundësi për çelësin. 3 000 çelësa të tjerë me qira të subvencionuar 50%. Sa herë e dëgjojmë që “çfarë të bëj unë, kam mbaruar shkollën, unë punoj, vetëm qiraja më ha gjysmën e asaj që marr”. Atëherë edhe këtu me prioritet çiftet e reja dhe emigrantët që kthehen me të njëjtat karakteristika të familjes. Platforma kombëtare do të mbulojë në vitin e parë 3 000 çelësa duke paguar shteti gjysmën e qerasë. Pra, nëse dhe këtu kemi parasysh përsëri, qira të cilat janë në një tavan 400 euro. Nëse ti i plotëson kriteret dhe ke një mundësi që të marrësh një qira, që të marrësh një apartament me qira 400 euro, 200 euro do t’i paguajë qeveria e Republikës së Shqipërisë.