TIRANË- Policia ka arrestuar 9 persona, 2 në procedim dhe ka shpallur në kërkim 20 të tjerë, pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës së djeshme në Tiranë.
Në pranga ranë shtetasit: Altin Koçi, Pajtim Lushi, Eden Bulku, Shkelzen Mujsaku, Orjan Cishkeku, Zyber Muca, Silvi Haxhi, Marlon Ladage (gjerman), Klejdi Mehaj.
Sipas njoftimit, të arrestuarit kanë gjuajtur në drejtim të policisë me sende të forta dhe piroteknike, si dhe kanë dëmtuar godina institucionesh shtetërore.
Gjithashtu, në pranga ka rënë edhe një 20-vjeçar Endri Doku, i cili sipas policisë, kishte thyer masën e sigurisë "arrest në shtpi" dhe dyshohet se është përfshirë në përfshirë në veprime të kundërligjshme gjatë protestës të së shtunës.
Njoftimi i Policisë:
Kundërshtuan dhe goditën me sende të forta dhe me lëndë piroteknike, punonjësit e Policisë, si dhe dëmtuan godina institucionesh shtetërore, gjatë tubimit të djeshëm, arrestohen 9 shtetas, procedohen penalisht 2 dhe shpallen në kërkim 20 shtetas.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë, në lidhje me tubimin e djeshëm:
-u arrestuan shtetasit A. K., 27 vjeç, P. L., 45 vjeç, E. B., 21 vjeç, Sh. M., 19 vjeç, O. C., 19 vjeç, Z. M., 25 vjeç, S. H., 20 vjeç, M. L., 23 vjeç (shtetas gjerman), dhe K. M., 20 vjeç;
-u proceduan penalisht 2 shtetas dhe u shpallën në kërkim 20 shtetas.
Gjithashtu, u arrestua shtetasi E. D., 20 vjeç, i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar për veprën penale “Vjedhja”, dhe dyshohet se është përfshirë në veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të datës 24.10.2026.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit K. M., 20 vjeç, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Policia vijon veprimet hetimore në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme gjatë tubimeve, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.