TIRANË- Emiljan Vishkulli, vëllai i 28-vjeçarit Erjon Vishkulli, i cili u dërgua për trajtim të specializuar në Itali pasi u plagos gjatë protestës, ka dhënë detaje rreth gjendjes së tij.
Reagimi i tij në një intervistë televizive është publikuar edhe nga kryeministri Edi Rama, në përgjigje të aludimeve se transporti i 28-vjeçarit drejt Italisë nuk ishte mundësuar nga shteti.
"UNË NUK GËNJEJ edhe pse nuk i them të gjitha, sidomos për ata që tërë këto ditë po gatuajnë mish për top nëpër ekranet e tyre të korruptuara", shkruan Rama krahas videos së intervistës.
Vishkulli shprehet se familja ka marrë përgjigje nga strukturat shtetërore për çdo iniciativë, përfshirë transportin me avion të posaçëm dhe shoqërimin nga personeli mjekësor. Sa i përket gjendjes shëndetësore të të vëllait, ai shprehet se momentalisht situata duket më e stabilizuar dhe se mjekët kanë dhënë shpresa pozitive.
“Gjendja e Erjonit duket më e stabilizuar. Na kanë thënë fjalë të mira për pjesën e rikuperimit të syrit. Shpresojmë që vëllai, të na vijë ashtu siç e patëm.
Kemi pasur një avion të posaçëm, me mjekë që ishin kastile për vëllain. Për çdo lloj iniciative na janë përgjigjur strukturat shtetërore, si avionin.. të gjitha i ka sjellë shteti deri në këto momente.
Gjendja e vëllait duket mirë dhe strukturat shtetërore na janë përgjigjur në mënyrë korrekte. Nesër pritet që të bëhet operacioni i dytë, që shpresojmë që të jetë me lajme të mira“, tha ai.
Postimi nga ana e kryeministrit vjen pas deklaratës së motrës së të riut, e cila, përmes një postimi në Instagram, kundërshtoi raportimet se shpenzimet për transportin dhe trajtimin e tij ishin mbuluar nga shteti, duke pretenduar se ato ishin paguar nga familjarët dhe miqtë. Më herët, po në një tjetër postim, Rama kishte deklaruar se ishte marrë personalisht me rastin dhe se 28-vjeçari ishte transportuar drejt Italisë me avion privat./ZËRI
