Aktualitet

"Plumbin e gomës e kam ende në sy", Erjon Vishkulli rrëfen plagosjen në protestë: Eca dy metra dhe rashë në tokë

Sipas rrëfimit të tij, 28-vjeçari thotë se ndodhej 30 metra larg policisë, pasi kishte takuar disa shokë të tij.

zh.ll
"Plumbin e gomës e kam ende në sy", Erjon Vishkulli
Erjon Vishkulli

TIRANË- Erjon Vishkulli, 28-vjeçari që mbeti i plagosur në sy gjatë protestës së djeshme në Tiranë, ka rrëfyer momentin e incidentit. Ai ka rrëfyer se gjithçka ndodhi brenda pak sekondave. Sipas rrëfimit të tij, 28-vjeçari thotë se ndodhej 30 metra larg policisë, pasi kishte takuar disa shokë të tij. Ai shprehet se pas goditjes arriti të qëndronte pjesërisht i vetëdijshëm, përpara se një mik ta shoqëronte me makinë.

“Shkova të takoja shokët dhe do të ikja. Kisha hequr maskën e oksigjenit dhe në atë moment takova një shok gazetar. I kisha diku 30 metra larg policët, pa asnjë reagim, pa asgjë. Vetëm kur më vjen një goditje, eca rreth dy metra dhe rashë në tokë. Isha pak i vetëdijshëm, ndërkohë që një shok më shoqëroi me makinë. Kaq mbaj mend pastaj”, u shpreh ai për Top Channel. 

28-vjeçari vijon të ketë plumbin e gomës në syrin e majtë, ndërsa shqetësimi dhe rreziku për shikimin mbetet shqetësimi i tij kryesor. 

“Vazhdoj ta kem ende plumbin e gomës në sy. Nuk e di tani të them se sa i lartë është rreziku, por e lehtë nuk është, sepse kam shumë dhimbje”, u shpreh ai.

Mes dhimbjes dhe frikës për shikimin, Erjoni e mbyll dëshminë e tij me dy fjalë: “Vetëm fitore”. 

“Vetëm fitore”, thotë ai.

Gazetari: Çfarë do të thotë kjo?

“Shqipëria është e jona”, e mbyll ai intervistën.

Ndërkohë, 28-vjeçari është nisur tashmë drejt Romës në Itali, për të marrë kujdes më të specializuar mjekësor./ZËRI

Poll

MOS HUMB