TIRANË-Pas audio-përgjimeve të bisedave midis biznesmenëve, mes tyre Ron Yeffet të publikuara nga ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, i cili pretendon për një skemë të trafikut ndërkombëtar të armëve, ku përfshihet Shqipëria ka ardhur edhe reagimi i qeverisë.
Ahmetaj në “Çim Peka LIVE” tha se disponon informacione dhe materiale që, sipas tij, lidhen me një strukturë të organizuar për trafikimin e armëve, duke pretenduar se armët vijnë nga vende të Afrikës, paketohen në Shqipëri dhe më pas dërgohen drejt destinacioneve të tjera. Por deklaratat e tij qeveria në një reagim për emisionin Opinion i ka quajtur thashetheme.
“Qeveria nuk ka asnjë reagim për të bërë në lidhje me thashethemet dhe fabrikimet e një të arratisuri nga drejtësia nën akuzat më të rënda që i janë bërë deri më sot nga SPAK një ish-zyrtari i lartë. Faleminderit!”, thuhet në reagim.
Çfarë deklaroi Arben Ahmetaj
“Është vetëshpjeguese. Jemi duke folur për trafik ndërkombëtar armësh. Dhe jo në kuadër të marrëveshjes, në sytë e NATO-s, që ka Shqipëria me Ukrainën. Jo. Jemi duke folur për trafik armësh nga vendet e Afrikës, që do paketohen në Shqipëri, ose që paketohen në Shqipëri, dhe që pastaj marrin rrugën... Jemi duke folur për trafik të pastër armësh”, deklaroi Ahmetaj.
Bëhet fjalë për një material përgjimi rreth 3 orë në Monako, ku amerikano-izraeliti, Ron Yeffet është një prej personave kryesorë të përmendur. Në biseda, sipas materialit të publikuar nga Ahmetaj, Yeffet komunikon me persona të tjerë për kompani, tenderë, pajisje ushtarake. Gjithashtu, sipas Ahmetaj, bisedat tregojnë marrëdhëniet me institucionet shqiptare dhe ato të vendeve të tjera dhe rolin që kanë pasur.
Në një prej sekuencave të publikuara, Ahmetaj ka veçuar një bisedë ku, sipas tij, diskutohet mënyra se si mund të anashkalohen garat dhe procedurat e tenderimit përmes krijimit të kompanive të tipit KAYO në Shqipëri.
“Kompania do të jetë amerikane që ti mbyllim gojën dhe ambasadës amerikane”. Ai është i qartë se si do shmangen garat e tenderat me anë manipulimit të ngritjes së kompanive tip Kayo, në Shqipëri, ndërkohë që bashkëbiseduesit thonë se në qeverinë Ukrainase blerja e makinave dhe pajimeve ushtarake nuk mund te kalojë pa garë. Një moment krucial është ai kur Ron Yeffet u thotë bashkëbiseduesve: “ne jemi ngarkuar nga qeveria shqiptare për të kryer punët e këqia", një bisedë e shkëputur nga Ron Yeffet me bashkëbiseduesit e tij.