TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar nga detyra Ministrin e Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari. Në vend të tij, në krye të Ministrisë së Brendshme është emëruar Ervin Demo. Ky i fundit prej shtatorit 2025 ushtroi detyrën si Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor.
Pas lëvizjeve në qeveri, Edi Rama ka njoftuar se Lamallari do të jetë pjesë e ekipit të tij në Kryeministri. Rama bëri të ditur gjithashtu se Ervin Demo do të marrë përsipër çështjet e Brendshme, ku do të integrohen edhe Çështjet Vendore. Në këtë mënyrë, çështjet vendore do të rikthehen nën përgjegjësinë e Ministrisë së Brendshme, ndërsa një pjesë e strukturave përkatëse pritet të integrohen në këtë dikaster.
Edi Rama: Sot kam vendosur të bëjmë një lëvizje në skuadrën që është në fushë. Lamallari nga drejtimi i ministrisë brendshme kalon në stolin tim bashkë me mua dhe ekipin këtu në kryeministri, ndërkohë që Demo, ministri i pushtetin vendor do mbulojë punët e brendshme ku do të integrojmë dhe çështjet vendore. Diçka që nuk është e re për historikun e ministrisë, por pasi ka marrë një formë goxha më të plotë duke qenë veç, do të bëhet pjesë e strukturës së ministrisë së Brendshme.
Besfort Lamallari: Faleminderit shumë kryeministër për besimin në këto 10 vite. Do të thoja se jam rritur profesonalisht. Ka qenë një përvojë e jashtëzakoshme dhe jam munduar që mos t’ju zhgënjej. Është kënaqësi dhe nder të jem në krahun tuaj për të gjithë punët që e presin Shqipërinë.
Besfort Lamallari mbante portin e Ministrit të Punëve të Brendshme prej muajit marsit të vitit 2026, duke zëvendësuar Albana Koçiun, e cila u emërua zv.kryeministre. Lamallari kishte marrë më herët drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë në shtator të vitit 2025, ndërsa në karrierën e tij në administratën publike ka mbajtur edhe postin e zëvendësministrit të Brendshëm, që prej tetorit të vitit 2017./ZËRI
