TIRANË-Vëllai i ish-futbollistit Igli Tare, Genti Tare, ka ndërhyrë me telefon në emisionin “Top Story”, ku po diskutohej dosja e ish-zv.kryeministres Belinda Ballukut dhe përmendja e emrit të vëllait të tij në këtë çështje. Tare është përplasur me kreun e Partisë Mundësia, Agron Shehaj, duke e akuzuar se përdorimi i fakteve të pjesshme mund të dëmtojë imazhin e vëllait të tij.
Për të ilustruar argumentin e tij, Tare iu drejtua Shehajt me disa pretendime që, sipas tij, mund të përdoren në të njëjtën mënyrë edhe ndaj kreut të Partisë Mundësia.
“Ja të të përdor unë ty një gjysmë të vërtete, të shoh si do të të djegë. Ke qenë ortak me Ilir Belerin te kompleksi i vilave në Petrelë. Je akuzuar nga opozita se i ke dhënë një vilë Erion Veliajt. Është njësoj si të marr një gjysmë të vërtetë dhe të them që Agron Shehaj është i korruptuar, ka pasur edhe bashkëshorten e Endri Fugës në punë, i ka dhënë dhe vilë Erion Veliajt”, deklaroi Tare.
View this post on Instagram
Genti Tare argumentoi se një qasje e tillë, sipas tij, po përdoret edhe ndaj vëllait të tij, Igli Tares, duke paralajmëruar se dëmi ndaj figurës së një personi mund të mbetet edhe në rast se më pas ai rezulton i pafajshëm.
SPAK pretendon se Balluku ka në pronësi faktike vilën familjare 2F nr.188/1, Nukli 27, në “Green Coast” dhe se Igli Tare është përdorur për të fshehur këtë pasuri të padeklaruar. Sipas SPAK-ut, kontrata e sipërmarrjes e lidhur më 26 tetor 2020, në shumën 250 mijë euro, mbulonte investimin për vilën vetëm deri në fazën e karabinasë. Sipas hetimeve, ndërtimi i mëtejshëm i vilës është realizuar nga Arbër Abazi, pronar i kompanisë “Alko Impex General Construction”.
Sipas SPAK, Arbër Abazi, pronar i kompanisë “Alko Impex General Construction”, ka marrë përsipër investime për përfundimin e vilës në kompleksin “Green Coast” në Palasë, me vlerë që sipas preventivit shkon nga rreth 288 mijë deri në 410 mijë euro. Kompania e tij ishte pjesë e bashkimit të operatorëve ekonomikë që fitoi tenderin për Lotin 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës, me fond limit rreth 2.35 miliardë lekë pa TVSH. Balluku në cilësinë e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ka favorizuar kompaninë në procedurën e prokurimit dhe, në këmbim, ka përfituar investimet e kryera në vilë.
Më herët SPAK sekuestroi një tjetër vilë që dyshohet se e zotëronte fshehurazi Belinda Balluku. Vila prej 103 metra katrorë në Dhërmi, figuronte po në emër të Igli Tares.