TIRANË- Ka përfunduar pas dy orësh takimi i kryeministrit Rama me drejtuesit politikë të qarqeve dhe ministrat. Në mbledhjen me dyer të mbyllura janë zbardhur porositë që Rama u ka dhënë socialistëve. Kreu i qeverisë ka kërkuar forcimin e pranisë së strukturave të Partisë Socialiste në territor, si dhe një angazhim më të drejtpërdrejtë me qytetarët.
Rama ka kërkuar që drejtuesit politikë të qarqeve, ministrat, deputetët dhe zëvendësministrat të ndërtojnë një skemë të personalizuar pune, ku ata do të zhvillojnë takime të përjavshme me qytetarët, në mënyrë që të dëgjohen drejtpërdrejt problematikat dhe shqetësimet e tyre. Po ashtu, kreu i qeverisë udhëzoi që platforma “Pasqyra Albania” të mos mbetet thjesht një njësi apo strukturë administrative, por të kthehet në ligj.
“Pasqyra Albania nuk duhet të jetë një njësi, platformë etj., duhet të jetë LIGJ. Besë dhe prani besnike prezente në territor, përmes një skeme të personalizuar: drejtues politik, deputet, ministër, zv.ministër të dedikuar”, mësohet të ketë thënë Rama gjatë mbledhjes.
Rama prezantoi në Pogradec “Pasqyrë Albania”, një platformë të re për komunikimin me qytetarët dhe zgjidhjen e problematikave të tyre. Platforma do të funksionojë përmes dy sektorëve: “Flamingo Albania”, që do të mbledhë dhe adresojë ankesat e pazgjidhura te institucionet përkatëse, dhe “Radar”, që do t’u mundësojë qytetarëve të ndjekin në kohë reale ecurinë e ankesës. Synimi është që problemet që qytetarët kanë të zgjidhen brenda dy javësh./ZËRI