TIRANË- Më 25 dhe 26 nëntor, Tirana mirëpret edicionin e dytë të Forumit të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor (EU–ëB6 Investment Forum).
Aktiviteti do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, ndërsa kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet e tij sociale pamje nga përgatitjet dhe organizimi në Tiranë i Konferencës së Dytë të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor. Sipas mesazhit të Ramës, përgjatë dy ditëve, kryeqyteti shqiptarë do të mbledhë mbi 600 investitorë, figura të shquara të politikës europian dhe ekonomistë.
“MIRËMËNGJES dhe me Tiranën, e cila mirëpret Konferencën e Dytë të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, ku mblidhen mbi 600 investitorë, nga Europa e rajoni, si edhe disa figura të shquara të politikës europiane dhe ekonomistë të mirënjohur po ashtu, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Sipas agjendës, në qendër të diskutimeve do të jenë mundësitë e financimit të bizneseve, investimet në teknologji, energji dhe infrastrukturë digjitale si dhe integrimi i sipërmarrjeve të rajonit në tregun europian.
Gjatë aktivitetit do të prezantohen gjashtë startup- e nga vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa në diskutime do të marrin pjesë përfaqësues të Bankës Botërore, BERZH-it dhe Bankës Europiane të Investimeve.
Mes të ftuarve janë ish-presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, dhe ish-kryeministrat italianë Massimo D’Alema dhe Enrico Letta, ky i fundit me pjesëmarrje online.
Forumi do të përmbyllet më 26 nëntor me fjalimet e kryeministrit Edi Rama dhe komisioneres europiane për Zgjerimin, Marta Kos./ZËRI