DURRËS- Oerd Bylykbashi nuk do të jetë më drejtuesi politik i Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit. Lajmin e bëri të ditur vetë demokrati gjatë fjalës së mbajtur në Foltoren e PD-së në këtë qytet, ku zbuloi se dorëzimin e detyrës te kryetari i partisë, Sali Berisha, e kishte bërë rreth një javë më parë.
Bylykbashi e cilësoi këtë vendim si një hap të nevojshëm për përtëritjen dhe zgjerimin e forcave politike të PD-së, duke theksuar se drejtimi i strukturave duhet të jetë një përgjegjësi që kalohet edhe te të tjerë. Ai i uroi pasardhësit të tij të çojë demokratët drejt zgjedhjeve të ardhshme.
Në fjalën e tij, Bylykbashi u ndal edhe te 19 vitet e bashkëpunimit me Sali Berishën nga i cili tha se kishte mësuar të mos lëkundej nga parimet. Ai foli gjithashtu për presionet gjatë zgjedhjeve të fundit në Durrës duke përmendur kryeministrin Edi Rama, Ergys Agasin dhe krimin e organizuar, për të cilët bëri akuza gjatë deklaratës së tij.
Ai shprehu bindjen se PD do të vijojë drejt zgjedhjeve të ardhshme në Durrës, Shijak dhe Krujë, ndërsa paralajmëroi edhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
"Unë në këtë fjalë që kam sot, dëshiroj t’ju falënderoj se kjo është hera e fundit që unë ju drejtohem si drejtues politik i qarkut të Durrësit, pasi ia kam dorëzuar këtë detyrë rreth një javë më parë kryetarit të partisë. Sepse mendoj që vetëm në këtë formë ne mund të çojmë përpara përtëritjen e shumëfishimin e forcave tona; marrim një detyrë e çojmë përpara, më pas vjen dikush tjetër e bën. Dhe unë i uroj kujtdo që do e marrë këtë detyrë ta çojë PD drejt fitores në zgjedhjet që kemi përpara.
Kemi vetëm një rrugë! Rruga jonë kalon përmes moralit dhe parimeve. Ne mund të bëjmë çdolloj kompromisi, por kompromis me moralin dhe parimet s’duhet të ketë!
Në 19 vite që kam punuar me doktor Berishën, nëse do të zgjidhja një nga ato leksione të jashtëzakonshme që unë kam marrë ka qenë; qëndroji parimeve pa lëkundje! Dhe në duhet t’u qëndrojmë këtyre parimeve deri në fund, sepse vetëm ato na çojnë më kokën lart drejt fitores. Asnjë kompromis me parimet dhe moralin!
Nëse ka diçka që ne nuk e kemi bërë në gjithë këto vite edhe kur presioni ka qenë i jashtëzakonshëm mbi të gjithë ju; presion nga krimi i organizuar në këtë qytet. Ne jemi përballur në zgjedhjet e kaluara në këtë qytet me Kryeministrin, me bashkinë e dytë më të fuqishme në republikë, me një koordinator si Ergys Agasi, që tashmë të gjithë e dinë që është një nga elementët thelbësorë të krimit të organizuar në funksion të regjimit të Edi Ramës dhe me një nga kartelet më të mëdha kriminale në vend; në të gjithë nuk bëmë kompromis, u përpoqëm dhe dhamë atë rezultat.
Jam i sigurt që vetëm në këtë mënyrë, duke mos bërë kompromis me krimin, ne do të vazhdojmë të kemi fytyrën dhe moralin për tu dalë përpara durrsakëve, për tu dhënë një ofertë të jashtëzakonshme e për të fituar.
Jam i sigurt që me këtë divizë ne do fitojmë zgjedhjet e ardhshme, i uroj sukses gjithë atyre që do marrin lidershipin, për ta çuar përpara këtë fitore te Partisë Demokratike në Durrës, Shijak dhe Krujë në zgjedhjet e ardhshme dhe shumë shpejt jam i sigurt që do shkojmë drejt zgjedhjeve te parakohshme pa Edi Ramën në krye te qeverisë në mënyre që të garantohen zgjedhjet e lira dhe te ndershme” tha Bylykbashi./ZËRI