
TIRANË- Gjykata e Lartë ka ndryshuar dënimin për kopshtarin Festim Bexhdillin, i akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, ngjarje e ndodhur në janar të vitit 2020. Më herët, Gjykata e Apelit e kishte dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa tashmë dënimi i tij përfundimtar është caktuar në 25 vite burg.
Festim Bexhdili u akuzua për përfshirjen në ngjajren e rëndë, pasi punonte si kopshtari i kompleksit në Shijak, ku u dërgua pas rrëmbimit e nga ku u zhduk më pas trupi i Jan Prengës. Sipas SPAK, Festim Bexhdili ka qenë në ambientet e kompleksit “Golden” kur aty është dërguar trupi i Jan Prengës dhe ka ndihmuar rrëmbyesit ta zhvendosë trupin nga një automjet në tjetrin.
Si ndodhi pengmarrja dhe vrasja e Jani Prengës?
Vrasja e Prengës erdhi pas vjedhjes së 260 kg kokainë nga vëllai i viktimës në Portin e Portsmuthit. Kokaina u vodh nga Astrit Prenga, Gëzim Shullani, Xhuliano nga Shkodra dhe një rumun. Pronarët morën hakun në Shqipëri! Fillimisht u vu në pranga tetë persona, kryesisht anëtarë të familjes Hajri, por ata u liruan një e nga një. SPAK pretendon se Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) kanë urdhëruar rrëmbimin, ndërsa organizimi është kryer nga të pandehurit Martin Bleta e Korado Keshteja. Rrëmbimi është bërë në Shqipëri në datën 17.01.2020, nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar./ZËRI